Aeroporti i Vlores: Albcontrol hap tender per Masterplanin e Navigimit Ajror
Albcontrol parashikon të hapë një procedurë prokurimi, që ka si objekt hartimin e Masterplanit të Navigimit Ajror për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Sipas të dhënave të publikuara pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi do të hapet gjatë muajit shtator ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion do të jetë 198 milion lekë. Ky është hapi i parë konkret që institucionet publike marrin pas dështimit të negociatave me konsorciumin turk për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Deri më tani Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka deklaruar se parashikon të hapë një garë ndërkombëtare për kompanitë e interesuara. Ndërkohë që, vetë ministrja Belinda Balluku ka shprehur vendosmërinë për vijim e projektit, duke vlerësuar se realizimi i tij do të ndikojë në zhvillimin e turizmit në jug të vendit.
Në janar të këtij viti kryeministri Edi Rama njoftoi se Qeveria shqiptare kishte marrë kërkesën zyrtare nga 3 kompani turke për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe sipas propozimit, vepra do të ndërtohej në zonën e Akërnisë, ndërsa investimi do të ishte privat dhe jo me para të buxhetit të shtetit. Ndërkaq për kryerjen e negociatave u miratua një ligj i posaçëm që përcaktonte procedurat që do të ndiqeshin gjatë negocimit për ndërtimin e aeroportit. Por, në përfundim të tyre zyrtarët e ministrisë deklaruan se negociatat dështuan për shkak të kompensimit të lartë që kërkohej prej tyre në drejtim të garantimit të fluksit të pasagjerëve./Scan