Secondary Adv

Paradoksi i tregut te dyqaneve ne Tirane: Tkurret kerkesa per njesi biznesi, rriten cmimet

Gjashtë muajt e parë të vitit 2019 kanë reflektuar tkurrje të kërkesës nga biznesi për njësi tregtare. 

 

Kërkesa për dyqane ka shënuar rënie në gjashtë muajt e parë të 2019, duke reflektuar shtimin e vazhdueshëm të ofertës, tkurrjen e konsumit, ndryshimin e modelit të biznesit etj. Agjencitë e pasurive të paluajtshme kanë konstatuar tkurrje të kërkesës për njësi tregtare në rrugët dytësore, ndërsa lirimi i ambienteve ku zhvilloheshin lojërat e fatit shtoi ofertën. Në kontrast me kërkesën, çmenden çmimet e shitjes në qendër, 15,000 euro/m² për një dyqan. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, kjo dukuri është bërë edhe më e dukshme në rrugët sekondare, të cilat janë më pak të frekuentuara nga njerëzit. 

 

Në rrugët kryesore situata mbetet e njëjtë. Fillimi i vitit e gjeti segmentin e pasurive të paluajtshme me një ofertë të shtuar në lidhje me njësitë tregtare. Mbyllja e aktiviteteve të lojërave të fatit, basteve sportive dhe kazinove, shtoi sipërfaqet e lira në zona të mira, me fasadë të dukshme, por me çmime të larta. Kjo ishte një mundësi e mirë për bizneset ekzistuese që kërkuan të zgjerohen ose të pozicionohen në ambiente më tërheqëse. Agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se pjesa e ambienteve ku zhvilloheshin lojëra fati janë rizënë, por pronarët janë detyruar të ulin çmimet në nivele më realiste. 

 

Për shkak të të ardhurave që gjeneronin bizneset e lojërave të fatit, kishin aftësi të paguanin çmime të larta qiraje. Me mbylljen e tyre, pronarët e këtyre hapësirave kërkonin që të mbanin të njëjtin nivel çmimesh, por që shumë shpejt “u detyruan” të vinin më afër kërkesës dhe aftësisë paguese të tregut. Ristrukturimi i bizneseve, ku shumë njësi të vogla tregtare po mbyllen, teksa po zgjerohen zinxhirët e supermarketeve dhe qendrat tregtare ka ndikuar në rritjen e ofertës të njësive që jepen me qira nga njëra anë dhe kërkesën e dobët nga ana tjetër. 

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018, numri i subjekteve në aktivitetet e tregtisë dhe shërbimit ushqimor, që zënë 44% të totalit të ndërmarrjeve në vend (pa përfshirë fermerët), ra me 7%, ose me 4 mijë biznese më pak. Situata paraqitet ndryshe në rrugët dytësore, ku kërkesa për biznese ka qenë e ulët në këtë 6-mujor, referuar aktivitetit të agjencive ndërmjetësuese. Kriza politike është një nga arsyet pse biznesi ka stepur kërkesën për njësi tregtare. Pritshmëritë janë të ulëta edhe në gjysmën e dytë të vitit./Monitor


Më të lexuarat