Modernizimi i asistences sociale: Avancon projekti, BB percakton tre fazat kryesore
Projekti për modernizimin e asistencës sociale, që mbështetet nga BB ka pasur një zhvillim, që lidhet me përcaktimin e fushatës komunikative në tre qytetet ku do shtrihet.
Sipas një njoftimi të fundit të Buletinit zyrtar qeveritar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shpallur shprehjen e interesit për një kompani këshilluese për tri fazat e implementimit të komunikimit të nevojshëm për projektin, si dhe për një kompani dizenjuese. Sipas specifikës, tri fazat konsistojnë në:
FAZA I. Implementimi i komunikimit, aktivitete në rajonin e Tiranës- 2019;
Faza II. Zbatimi i komunikimit, aktivitete në rajonin e Durrësit- 2020;
Faza III. Zbatimi i komunikimit, aktivitete në rajonin e Elbasanit- 2021.
Ndërsa nuk jepen të dhënat financiare për kontaktuesit, specifikimet e tjera konsistojnë në format e publikimeve që duhet të transmetohen për secilin rajon. Një numër aktivitetesh përgatitëse për zbatimin e reformës së paaftësisë janë bërë të ditura më parë, ku përfshihet së pari vlerësimi i situatës së invalidëve në punë; së dyti trajnimi i stafit të ri të punësuar në zhvillimin e vlerësimit sipas kritereve të reja; së treti aktivitetet e ndërtimit të kapaciteteve për qeverisjen lokale dhe zyrat rajonale të Shërbimit Shtetëror Social, për koordinimin e shërbimeve sociale për njerëzit me aftësi të kufizuar.
Kujtojmë se për këtë projekt, në fund të vitit 2018 përfundoi projekti origjinal me një financim prej 50 milionë dollarësh, ndërkohë që nga janari 2019 ka nisur shtesa e projektit me 11 milionë dollarë nga të cilat deri më tani janë disbursuar vetëm 3% e tyre. Projekti shtesë pritet që të mbyllet në qershor të vitit 2021 sipas planit të disbursimit dhe synon që të vendosë fokus të veçantë te pjesa e ndihmës për aftësinë e kufizuar. Vlerësimi i përgjithshëm i projektit sipas ekipit të BB ka qenë i kënaqshëm në mënyrë të moderuar, sipas një raporti të fundit që ata kanë publikuar, duke ruajtur të njëjtin vlerësim si në raportin paraardhës./Monitor