Se shpejti fatura elektronike tatimore: Asnje kosto per biznesin e vogel, aplikacion falas
Nuk do të ketë kosto shtesë për biznesin e vogël për implementimin e faturës elektronike.
Zëvendësministri i Financave Elton Haxhi, shpjegon se po punohet që aplikacioni për këtë kategori të jetë falas. Haxhi sqaron se ende nuk dihet se sa kasa fiskale që janë në treg do të zëvendësohen. Teksa kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e konsultimeve me grupet e interesit për projektligjin e “Fiskalizimit”, zëvendësministri i Financave Elton Haxhi, shpjegon se me implementimin e faturës elektronike ulet informaliteti pasi lejohet monitorimi në distancë nga të gjitha institucionet tatimore, për të shmangur informalitetin.“Pajisjet e reja fiskale apo sistemet e reja do të lejojnë, do të transmetojnë në kohë reale çdo transaksion.
Për më tepër lejon një monitorim në distancë”, shprehet zv.ministri i Financave Elton Haxhi. Duke iu përgjigjur kritikave Haxhi theksoi se biznesi i vogël nuk do të paguajë asnjë vlerë monetare, pasi po punohet që aplikacioni për këtë kategori të jetë falas. “Për biznesin e vogël ne po kujdesemi që ta adresojmë me aplikacion falas, apo me hapësirë falas”, thotë Haxhi. Zëvendësministri sqaron se ende nuk ka një përgjigje konkrete se çfarë do të ndodh me kasat fiskale aktuale, por deklaron se tashmë nuk bëhet fjalë për një aplikacion por shumë të tillë, dhe bizneset kanë mundësi zgjedhjeje.
“Ky sistem e hap tregun në një numër të pakufizuar aplikacionesh apo zgjidhjesh fiskalizimi. Nuk është një aplikacion”, shpjegon zv.ministri. Ndër të tjera ai ka shtuar se të gjithë bizneset janë të mirëpritura të bëhen pjesë e projektit pilot që nis në tetor, për të parë se si do ti përgjigjet tregu fiskalizimit. Ndërkohë Haxhi thekson se janari i vitit 2020 mund të shtyhet nëse biznesi nuk arrinë të përshtatet me aplikacionin që do të përzgjedhë./Shqiptarja.com