
Shtyhet deri ne 31 mars afati per pagesat e prapambetura te energjise
Afati për lidhjen e aktmarrëveshjeve të qytetarëve debitorë, pagesa e prapambetur e energjisë, dhe falja në masën 80% të kamatëvonesave është shtyrë deri në datë 31 mars.
Debitorët e OSHEE-së do të kenë edhe 1 muaj kohë për të lidhur kontratat për pagesën e detyrimeve të prapambetura, për të përfituar 80% zbritje për kamatëvonesat. Vendimi për shtyrjen e afatit u bë i ditur nga ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, i cili theksoi se 31 marsi do të jetë mundësia e fundit që u jepet qytetarëve për të përfituar nga skema lehtësuese.
“Sot konstatojmë me kënaqësi se qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur pozitivisht angazhimit të OSHEE-së dhe Policinë e Shtetit. Falenderoj qytetarët që vendosën t’i japin fund abuzimit me energjinë, të cilët lidhën kontrata të reja, duke iu përgjigjur shumicës së qytetarëve të ndershëm që kanë paguar vazhdimisht detyrimet.
Skema lehtësuese ka dhënë rezultate të qarta. Duke dëgjuar kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve në dhënien e një kohe shtesë për të lehtësuar pagesat, është marrë vendim që afati të shtyhet deri në 31 mars, për lidhjen e aktmarrëveshjeve me kushtet lehtësuese që kanë qenë në fuqi deri tani. 31 marsi është afati i fundit, mundësia e fundit që u bëhet qytetarëve për ta plotësuar këtë detyrim. Skema lehtësuese nuk mund të shtrihet në mënyrë permanente. Secili të paguajë për atë që konsumon, askush të mos paguajë për ata që vjedhin.”-deklaroi ministri Gjiknuri.
Nga 1 marsi skemë lehtësuese për bizneset debitore
Ndërkohë nga ana e tij, kreu i OSHEE-së Çela bëri të ditur disa të dhëna ku theksoi se që nga 6 dhjetori dhe deri më 26 shkurt janë lidhur 233 mijë aktmarrëveshje, nga të cilat 103 mijë kanë likuiduar tërësisht borxhin duke përfituar faljen në 80% në të kamatëvonesave.
Çela nënvizoi gjithashtu se afati i 31 marsit do të jetë data e fundit për këtë skemë lehtësuese. Në fjalën e tij, Çela bëri të ditur edhe një skemë të re lehtësuese për bizneset debitore, e cila do të hyjë në fuqi më 31 mars dhe që do t’u mundësojë bizneseve pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike.
“Së pari do të doja të paraqisja disa të dhëna. Nga data 4 dhjetor deri më 26 shkurt, janë nënshkruar 233 884 aktmarrëveshje, ku 103 mijë kanë likuiduar tërësisht borxhin duke përfituar faljen në 80% në të kamatëvonesave. Vlera totale është 46.6 miliardë lekë. Për të iu ardhur në ndihmë qytetarëve, kompania është përgjigjur me hapjen e rreth 50 sporteleve të reja. Kemi nënshkruar marrëveshje të tjera me disa kompani shërbimesh në mënyrë që qytetarët të paguajnë energjinë. Me afrimin e datës 28 shkurt, janë shtuar radhët në sportele.
Një e dhënë tjetër, është që 80% e aktmarrëveshjeve janë bërë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00. OSHEE mirëpret vendimin e qeverisë për shtyrjen e afatit me 1 muaj të skemës lehtësuese. Qytetarët duhet të përfitojnë, e theksoj është afati i fundit. Nga data 31 mars OSHEE do të vërë në fuqi një skemë të re lehtësuese për bizneset për shlyerjen e detyrimeve me 6 këste deri në datën 31 dhjetor të vitit 2015.” tha Çela.
Afati i deritanishëm i datës 28 shkurt për pagesën e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike kishte krijuar radhë të gjata në sportelet e OSHEE-së, pasi deri në këtë datë, qytetarët kishin mundësi që të përfitonin falje 80% të kamatëvonesave. -
See more at: https://shqiptarja.com/home/1/falja-e-kamatvonesave-shtyhet-me-1-muaj-afati-p-r-marr-veshje-275522.html#sthash.r9XJKqhE.dpuf
Më të lexuarat








