Secondary Adv

Perfundon ndertimi i rruges se Kombit: Nga sot hapet teresisht per automjetet

Rrugës së Kombit i shtohet tashmë një aks plotësisht i përfunduar dhe i aksesueshëm në të gjithë gjatësinë e tij. 

 

Pas 10 vitesh vonesash, punimet për ndërtimin e viadukteve përgjatë segmentit nga Kukësi në Doganën e Morinës kanë përfunduar duke ndikuar në këtë mënyrë dhe në rritjen e sigurisë rrugore përgjatë këtij aksi. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, dhe kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, inspektuan nga afër përfundimin e punimeve përgjatë këtij segmenti. Drejtoresha Qato bëri të ditur se ka qenë një projekt i cili kishte pjesë të tij disa vepra madhore dhe me kompleksitet të lartë por që morën zgjidhjen e duhur nga ana e kompanisë kontraktuese. 

 

“Lajmi i mirë është që lançojmë hapjen për trafik të 7 viadukteve dhe rakordimet përkatëse të cilat janë kryer në infrastrukturën e cila lidh 13 kilometra. Janë 13 kilometra të cilat vihen në përdorim të gjithë mjeteve dhe përdoruesve të mjeteve që kalojnë në “Rrugën e Kombit” duke rritur sigurinë rrugore dhe duke rritur padiskutim dhe performancën e të gjithë kësaj vepre madhore e cila përbën “Rrugën e Kombit””, u shpreh Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Nga ana e saj, ministrja Balluku tha se tashmë edhe ky segment rrugor është pjesë e hartës së akseve nacionale punimet për të cilët janë mbyllur dhe dorëzuar dhe që tashmë është plotësisht i aksesueshëm për përdoruesit. 

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se rritja e sigurisë rrugore ka qenë në fokus të këtij projekti duke shtuar se mangësitë e evidentuara në projektin fillestar krijuan edhe vonesa duke marrë kohë për gjetjen e zgjidhjeve të tjera në mënyrë që ky aks të përmbyllej plotësisht. Por pavarësisht këtyre pengesave, ministrja Belinda Balluku theksoi se tashmë kjo rrugë, me standarde europiane, është plotësisht e hapur dhe në dispozicion të përdoruesve të saj. “Ashtu si shumë kontrata të tjera të cilat kanë qenë të hapura prej vitesh në kantieret e rrugëve nëpër Shqipëri edhe kjo rrugë dorëzohet, pra bëhet e kalueshme për automjetet duke filluar nga sot. 

 

Një rrugë sipas të gjitha parametrave europiane të sigurisë rrugore. Punimet për ndërtimin e viadukteve përgjatë segmentit rrugor Kukës Dogana e Morinës ka qenë një sfidë edhe për industrinë e ndërtimit në vend, pasi për ndërtimin e një prej viadukteve me një lartësi prej 46 metrash është kërkuar ndërtimi i një vinçi të posaçëm përmes të cilit u bë e mundur ndërtimi i trarëve të këtij viadukti. “Rruga e Kombit” është një ndër akset që ka një fluks të lart lëvizjesh të automjeteve. Përfundimi i viadukteve si dhe pajisja me sinjalistikën e nevojshme rrit më tepër sigurinë rrugore përgjatë këtij aksi si dhe lehtëson qarkullimin e automjeteve./Scan


Më të lexuarat