Secondary Adv

Shqiptaret te prirur per te kursyer: Depozitat mbi pese here me te larta se kredite

Një individ në Shqipëri ka mesatarisht 330 mijë lekë ose rreth 2700 euro kursime në formën e depozitave bankare. 

 

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe të Instat, kursimet e familjeve shqiptare janë mbi pesë herë më të larta në raport me vlerën e kredive bankare. Në terma mesatarë, mund të thuhet se shqiptarët kanë një prirje të lartë drejt kursimit. Duke pjesëtuar vlerën e depozitave të individëve me numrin e popullsisë, listën e kursimeve sipas qarqeve e kryeson Tirana, me 392 mijë lekë depozita bankare për frymë. Menjëherë pas Tiranës vjen edhe Vlora, me 347 mijë lekë për frymë. Paradoksalisht, të paktën deri vitin e kaluar, Vlora ishte edhe qarku me shkallën më të lartë të papunësisë, me mbi 22%. Sasia e madhe e depozitave në këtë qark mund të interpretohet me të ardhurat nga emigracioni ose nga aktivitetet e jashtëligjshme.

 

Qarqet e tjera të vendit kanë një vlerë të depozitave bankare për frymë ndjeshëm më të ulët se mesatarja kombëtare. Listën e mbyll Fieri, me 173 mijë lekë për frymë dhe Lezha, me 150 mijë lekë për frymë. Megjithëse duke parë vlerën e depozitave mund të konsiderohemi një shoqëri me prirje të lartë për të kursyer, ana tjetër e medaljes është edhe shkalla e konsiderueshme e pabarazisë. Sipas të dhënave nga Agjencia e Sigurimit të depozitave, janë më pak se 91 mijë individë të cilët zotërojnë rreth 4.1 miliardë euro ose rreth 56% e totalit të depozitave të individëve. Gjithë depozituesit e tjerë, që përbëjnë 97% të numrit të përgjithshëm, të marrë së bashku zotërojnë rreth 3.2 miliardë euro ose rreth 44% të depozitave të individëve./Scan


Më të lexuarat