Indeksi i Cmimeve te Importit ra ne tremujorin e dyte: Mallrat e konsumit u bene me te lira
Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e dytë 2019 shënoi ulje me 0,8% krahasuar me vitin e kaluar, dhe ulje me 0,6% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve, kanë shënuar ulje me 1,2%. Brenda këtij seksioni ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 8,0%, pasuar nga aktivitetet “Prodhimi i tekstileve” me 6,6%,“Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve p,k,t” me 3,5%, etj. Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” kanë shënuar rritje me 5,4%, pasuar nga grupi “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 4,7%. Indeksi i Çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2019 shënoi ulje me 0,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2019.
Indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve, ka shënuar ulje me 0,2%. Indeksi i çmimeve të importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas. Dy vitet e fundit çmimet e mallrave të importit në tregun vendas kanë rënë për dy arsye. E para dhe më e rëndësishmja lidhet me mbiçmimin e monedhës vendase lekut ndaj euros. Shqipëria është importues netos i mallrave të konsumit, ndaj dhe rënia e euros i ka bërë më të lira mallrat e importit në tregun vendas. Arsyeja tjetër lidhjet me koniunkturën e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ulja e çmimeve për artikuj të tillë si cigaret dhe veshjet reflektohen edhe në tregun vendas. Çmimet e importit janë një përbërës i rëndësishëm i inflacionit në vend./Monitor