Secondary Adv

Studimi i INSTAT: Ulja e pragut te TVSH pa efekt, 90 mln euro nuk mblidhen

Sipas matjeve të referuara në studim, hendeku i TVSH-së në vitin 2018 ishte rreth 11 miliardë lekë dhe në terma relativë është 7,75%. 

 

Hendeku përfshin një numër të madh të transaksioneve dhe aktiviteteve që duhet të tatohen, por për arsye të ndryshme, nuk janë tatuar. Duke analizuar hendekun e TVSH-së në vitin 2015 dhe atë në vitin 2018 studimi del me konkluzionin se ndryshimi në kufirin e regjistrimit në TVSH në vitin 2018 nuk ka sjellë të ardhurat e pritura nga ndryshimi në bazën e tatueshme.Të ardhurat buxhetore nga TVSH janë rritur me vetëm 3,06% në vitin 2018 dhe hendeku ka rënë me rreth 1.39 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm. Por efekt negativ në të ardhurat e TVSH-së kishte edhe lehtësimi fiskal në sektorin e turizmit dhe zhvlerësimi i kursit të këmbimit. Taksimi është një nga instrumentet më të rëndësishme fiskale dhe në shumë vende është zëri kryesor në të ardhurat buxhetore. 

 

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjeneron të ardhura të konsiderueshme, më shumë se një e pesta e të ardhurave totale tatimore në botë dhe është futur në rreth 140 vende. TVSH-ja paguhet vetëm për vlerën e shtuar në çdo fazë të prodhimit dhe shpërndarjes. Në këtë mënyrë, çmimi përfundimtar i produktit është i barabartë me shumën e vlerave të shtuara në secilën fazë të mëparshme. Në Shqipëri, TVSH-ja është zbatuar për herë të parë në tremujorin e katërt të vitit 1995, duke zëvendësuar tatimin mbi xhiron që ishte më parë. Ekonomia shqiptare është e vogël dhe e ndërvarur nga importet, pjesa kryesore e TVSH-së paguhet për importet, afërsisht 75% dhe pjesa e mbetur mblidhet nga vlera e shtuar e brendshme. 

 

Roli i kufirit të TVSH-së

Regjistrimi në skemën e TVSH-së shpesh imponon kosto administrative dhe financiare për bizneset dhe pragu më i lartë i regjistrimit të TVSH-së ndihmon në nxitjen e rritjes ekonomike sepse i mban bizneset e vogla larg këtyre kostove. Ky përjashtim për bizneset e vogla e bën më të lehtë nisjen e sipërmarrjeve të reja ose startup-et, por ka evidenca se kufiri i TVSH-së siguron një frenim të rritjes ndërsa bizneset i afrohen atij. 

 

Nga ana tjetër, zvogëlimi i kufirit të regjistrimit në TVSH mund të çojë në ndryshimin e sjelljes nga biznesi, duke e zvogëluar artificialisht deklarimin e xhiros për të qëndruar nën kufirin, por ky është një çmim që vlen të paguhet për shmangien e shpenzimeve disproporcionale administrative për bizneset, edhe pse biznesi i vogël paguan një pjesë të vogël të të ardhurave totale, ku mund të aplikohet një normë e thjeshtuar ose 0%, por duhet futur nën skemën e TVSH-së. Vlerësimi i hendekut të TVSH-së është bërë sipas metodës lart-poshtë bazuar në të dhënat e llogarive kombëtare, më saktësisht të tabelave të burim-përdorimeve.

 

Bazuar në metodën lart-poshtë, TVSH-ja e pambledhur në Shqipëri, apo hendeku i TVSH-së, ishte rreth 11,11% e TVSH-së totale për vitin 2015. Pjesa më e madhe në të ardhurat totale teorike të TVSH-së (75,28%) e zë konsumi final, konsumi ndërmjetës në sektorët e përjashtuar përfaqëson 17,83% të të ardhurave totale teorike të TVSH-së dhe pjesa tjetër (6,89%) përfaqësohet nga ndërmarrjet nën kufi. Në vitin 2018, hendeku i vlerësuar është i barabartë me 10.900 milionë lekë dhe në terma relativë është 7,75%.

 

Implikimet e uljes së kufirit

Shumica e produkteve janë nën regjimin 20% që është shkalla standarde dhe ka disa kategori, të cilat janë të përjashtuara nga TVSH-ja ose jashtë fushës së TVSH-së. Shërbimet e akomodimit dhe agroturizmi kishin ndryshime në regjimin e TVSH-së në vitin 2018, ku janë futur lehtësime fiskale për këto aktivitete, me një ulje të normës së TVSH-së në 6%. Një ndryshim tjetër në legjislacionin e TVSH-së për vitin 2018 është ulja e pragut të regjistrimit të TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë dhe të gjitha profesionet e lira janë të detyruara të raportojnë, duke rritur numrin e bizneseve që janë të detyruar të raportojnë dhe të paguajnë TVSH. Reduktimi i pragut të regjistrimit në TVSH ndikon në sjelljen e biznesit, duke kufizuar qarkullimin e tyre për të mbetur nën pragun apo më keq, duke filluar një treg informal të TVSH-së, nëse autoritetet tatimore nuk janë efikase./Monitor 


Më të lexuarat