Secondary Adv

Financat nuk terhiqen: Fiskalizimi nis ne janar 2020, testimi ne tetor

Ndonëse shoqatat e biznesit kanë kërkuar shtyrje të procesit të fiskalizimit, që parashikohet të nisë nga janari i 2020, financat nuk kanë dhënë shenja tërheqjeje. 

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Fier, qëllimi i të cilit ishte informimi dhe diskutimi lidhur me projektiligjin e “Fiskalizimit”. Ministrja Denaj shoqërohej në këtë takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj dhe drejtues të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier. Bizneset e pranishme në takim i përkasin sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si tregtia, hoteleri-turizmi, bar-restorante, gazi, transporti, ndërtimi, etj. 

 

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, informoi mbi fazat në të cilat do të kalojë reforma e Fiskalizimit dhe risitë që do të sjellë, ku faza e parë, e cila përfshin marrëdhëniet biznes-konsumator është parashikuar të nisë në 1 janar të vitit 2020, ndërsa dy fazat e tjera, që përfshijnë marrëdhëniet “biznes me biznes” dhe “biznes-shtet” janë planifikuar të nisin në 2021. “Ndryshimi kryesor që projekti paraqet është raportimi në kohë reale i të gjithë faturave. Aktualisht bizneset që tregtojnë me konsumatorin dërgojnë pranë DPT informacion në bazë ditore të shitjeve të tyre. 

 

Nga 1 janar 2020, të dhënat nuk do të dërgohen në bazë ditore, por do të dërgohen sa herë që një shitje gjenerohet. Fatura do të dërgohet në serverin e DPT, nëpërmjet aplikacionit dhe sistemit që po ngrihet. Fatura do validohet në kohë reale nga serveri ynë dhe do të kthehet mbrapsht e fiskalizuar. Procesi do zgjasë pak sekonda”, sqaroi znj. Ibrahimaj. Që në fillim të fjalës së saj, Ministrja Denaj theksoi rëndësinë që projekti i Fiskalizimit, apo projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, duhet të kuptohet drejt nga biznesi, sidomos sa i përket qëllimit se përse po ndërmerret kjo reformë, objektivave që ka, si dhe fazat në cilat është parashikuar se do të kalojë procesi. 

 

Aktualisht projektligji është në fazën e konsultimit të tij me grupet e interesit, ndërkohë që në muajin tetor do të nisë testimi i sistemit, për cilin sërish do të vijojë komunikimi me biznesin, në mënyrë që kur të nisë të nisë aplikimi biznesi të jetë i mirëinformuar. Ministrja theksoi se reforma e Fiskalizimit ka disa objektiva kryesorë, si ulja e informalitetit në ekonomi dhe një administrim më të mirë nga ana e Administratës Tatimore, ndërkohë jo pak i rëndësishëm është ky proces sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

 

Objektivi kryesor është që ne këtë projekt ta kemi dhe si një parakusht për procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Pse? Sepse sisteme të përditësuara me teknologjinë, por jo vetëm, edhe me mendësinë e analizës dhe luftës kundër informalitetit, duhet të jenë në të njëjtën mendësi që është ajo e vendeve europiane”, theksoi znj. Denaj. Takimi vijoi më pas diskutime mes palëve dhe sqarimin nga ana e përfaqësuesve të MFE dhe Administratës Tatimore mbi detaje teknike të Fiskalizimit, si dhe përgjigje për pyetjet e ngritura nga ana e përfaqësuesve të biznesit./Monitor


Më të lexuarat