Secondary Adv

Tregtia me pakice u rrit me 3.3 per qind ne 2019: Por jo te ardhurat nga TVSH

Tregtia me pakicë, në gjashtëmujorin e parë të vitit, është rritur 3.3% sipas INSTAT, por kjo rritje nuk është reflektuar në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.   

 

Përkundrazi, në këtë periudhë, të ardhurat nga TVSH e brendshme kanë rënë me 2.7% sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Qarkullimi në ekonomi është rritur, por rendimenti fiskal ka rënë, duke sinjalizuar për rritje të evazionit në ekonomi, teksa dhjetëra skema mashtrimi në TVSH-në janë zbuluar së fundmi. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2019, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje vjetore me 3,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht ka shënuar rritje 2,1%. Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka shënuar rritje prej 4,7%, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 5,7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018. 

 

Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 4,0%, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 0,5%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018. Ndryshimi vjetor i indeksit të volumit të shitjeve, në tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë 2019, është 3,5%. Grupet të cilat kanë ndikuar janë: grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” me +1,6 pikë përqindje, grupi “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +1,7 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me +0,2 pikë përqindje.

 

Në tremujorin e dytë 2019, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 2,5 %, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur me 3,9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës. indeksi i volumit të shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 1,1 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur 1,4%, kundrejt tremujorit të parë 2019./Monitor


Më të lexuarat