Vijon faturimi aforfe i ujit: Niveli i matjes per konsumin e faturuar vetem 68 per qind
Enti Rregullator i Ujit ka kërkuar që shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve që të vendosin në prioritet të tyre pajisjen me matës të të gjithë abonentëve.
Në raportin e publikuar së fundmi për bilancin e ujit të shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve, ERRU nënvizon se kjo së pari duhet të bëhet tek konsumatorët familjarë pasi ata faturohen me tarifën 150 lekë/ditë, banor. “Niveli i matjes për konsumin e faturuar është 68%. Duke patur parasysh që klientët familjare aforfe faturohen mesatarisht sipas normës 150 litra/ditë, banor, e cila është rreth 50% më e lartë se norma mesatare me matje prej rreth 100 litra/ditë, banor, duhen nxitur shoqëritë që të gjithë konsumatorët familjare të pajisen me ujëmatës për një faturim korrekt të tyre sipas sasisë reale të ujit që ato konsumojnë” thuhet në raport. Enti Rregullator i Ujit e sheh matjen aforfe në dy aspekte.
Si një mekanzimëm që mund të jetë duke mbifaturuar familjet në disa raste por edhe si një hapësirë që mund të sjellë abuzim në raste të tjera ku konsumi është dukshëm më i lartë se vlera që faturohet. “Nënfaturime mund të ndodhin tek konsumatorët me faturim aforfe kryesisht ato të shtëpive private apo në zonat rurale që realizojnë një mbikonsum të ujit për ujitje. Shoqëritë duhet të vlerësojnë këto raste dhe ti pajisin urgjentisht këto konsumatorë me matës” thuhet në raport. I njëjti thekson se në lidhje me faturimin aforfe shoqëritë duhet të kontrollojnë klientët me numër të vogël të personave në familje për ndonjë abuzim të mundshëm me numrin e pjesëtarëve të familjes duke i kërkuar të paraqesin një certifikate të gjendjes familjare që vërteton numrin e saktë të tyre që është subjekt i kontratës me shoqërinë UK.
Sipas shifrave që ka bërë publike ERRU duke kategorizuar në tre grupe shoqëritë nënvizohet se edhe faturimet afrofe në disa raste janë të përllogaritura gabim. Kështu konsumi i autorizuar mesatar aforfe i shprehur në litra/ditë, banor tregon për faturim nën vlerën e parashikuar nga VKM për faturimin aforfe, ose për ndonjë anomali të mundshme të gabimit sistematik të sistemit që duhet korrigjuar. “Mjaft shoqëri kanë probleme edhe me faturimin aforfe që duhet verifikuar, si UK Kavajë, UK Elbasan, UK Lushnje, UK Pogradec” shprehet ERRU./Monitor