Projekt per rikonstruksionin e Bujqesorit: Hapet tenderi, ja si do duket universiteti
Në vend të 8 objekteve jashtë funksionit në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, do ndërtohet një sallë auditori me 2 klasa, me sipërfaqe 108 m2 dhe 67 m2.
Universiteti Bujqësor i Tiranës ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik. Fondi limit që ka vendosur në dispozicion për këtë investim është 32,1 milionë lekë. Por, çfarë pritet të ndryshojë tek UBT? Sipas detajeve teknike të bashkangjitura tenderit, përpos 8 objekteve jashtë funksionit, do të rikonstruktohet objekt- stalla, që ka një sipërfaqe afro 620 m2, me kapacitet për strehimin e afro 60 lopëve.
Rikonstruksioni pritet të përfshijë suvatim të jashtëm e të brendshëm, lyerje me bojë, vendosje dritaresh, izolim më të mirë të çatisë, si dhe krijimin e ambienteve shtesë, si përshembull materniteti i lopëve.
Po ashtu, sipas specifikimeve teknike, ky investim përveç ngritjes së infrastrukturës mësimore dhe rikonstruksionin e stallave, parashikon dhe rritjen e aksit rrugor brenda fermës, si dhe rrethimin e saj. Ky tender parashikon përmbylljen e punimeve brenda një afati kohor afro 5 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues të tenderit./Scan