Permiresohet situata ne Kaskaden e Drinit- KESH: Prodhimi do rritet me 30 per qind
Përveç përmbytjeve në disa qytete, reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë efekte pozitive për KESH, duke përmirësuar situatën hidrike në Kaskadën e lumit Drin.
Ky dikaster bën me dije për TV SCAN se reshjet e së martës kanë përmirësuar ndjeshëm nivelin e prurjeve në HEC Fierzë duke i dyfishuar ato. Sipas KESH, prurjet në këtë HEC në datën 24 shtator u regjistruan në 120 m3/s e për pasojë edhe plani i prodhimit për muajin Tetor 2019 pritet te rritet me te paktën 30% krahasuar me parashikimin. Thatësira e tej zgjatur në vend nuk ka favorizuar prodhimin e energjisë përgjatë 8-mujorit të këtij viti.
Për periudhën janar-gusht u prodhuan në total 1929.8 Gwh energji, apo 2884 GwH energji më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, çka ka sjellë dhe një rritje të faturës për importin e energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Megjithatë, sipas KESH pavarësisht vështirësive të krijuara prej mungesës se reshjeve në 6-mujorin e parë të vitit, falë administrimit të kujdesshëm të rezervës energjetike, KESH planifikon të prodhojë në Shtator 2019 për nevojat e konsumatoreve fundorë rreth 230 Gwh, ose vetëm 10% më pak se prodhimi mesatar shumëvjeçar për të njëjtën periudhë./SCAN