
Bien te ardhurat dhe rriten ndertimet: Sektori po afrohet drejt flluskes
Pas rritjes së fortë në 2017-n, viti 2018 nuk ishte i mirë për sipërmarrjet e ndërtimit, sidomos ato të sektorit rezidencial.
Më të mëdhatë raportuan rënie të lehtë pas zgjerimit dyshifror të vitit të mëparshëm. A ka fuqi blerëse për ndërtimet e reja që priten, teksa sipërfaja e lejeve të ndërtimit u rrit me 133% në gjysmën e parë të 2019-s. Rritja dyshifrore e kompanive të ndërtimit, si në sektorin inxhinierik, ashtu dhe atë rezidencial ishte një dukuri tipike e 2017-s, teksa sektori përjetoi një lulëzim të vërtetë. Por kjo zgjati shumë pak. Në vitin 2018, pjesa më e madhe nuk arriti të ruajë ritme të larta, përkundrazi shumë prej tyre, sidomos në sektorin rezidencial panë rënie të të ardhurave, në një sinjal se kërkesa për blerje banesash nuk është e qëndrueshme.
Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve. Turkja “Limak Insaat Sanayi ve Ticaret”, e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, ka kaluar sërish në operatorin më të madh të ndërtimit në vend, me një qarkullim vjetor prej 7.8 miliardë lekësh, me rritje të fortë 24.5%. “Alb-Star” zbriti në operatorin e dytë më të madh të ndërtimit në vend, pas një rënieje të të ardhurave me 10.7% në 7.6 miliardë lekë. Kompania është e specializuar në punimet inxhinierike.
“Gener 2” (me aktivitet në ndërtime civile rezidenciale e qendra tregtare) ishte në vitin 2018, operatori i tretë më i madh në fushën e ndërtimit. Të ardhurat ishin 6.8 miliardë lekë, me rënie 20% me bazë vjetore.
“Gjoka Konstruktion” shënoi rritje të fortë të aktivitetit, me të ardhurat që u zgjeruan me 50%, në 6.7 miliardë lekë.
“Mane TCI”, pjesë e grupit “Balfin”, e fokusuar në ndërtim iu rikthye sërish rritjes në vitin 2018, teksa të ardhurat më se u dyfishuan në 6.3 miliardë lekë. Kompania është e përqendruar tashmë në projektet e turizmit.
Rritje kanë raportuar “Gjikuria” (në ndërtim HEC-esh, banesash e rrugësh), me 19%; “Salillari” me 7.6%; “Shijaku” me 15.4%
Në rënie ishin “Alb Building” me 21%, “Rafaelo 2002” me 25% etj., “Joint Venture Dondi Kubota” (Ndërtimi i impiantit të trajtimit të Ujërave të Zeza të Tiranës), me 31.7%; etj.
“Fusha sh.p.k.”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e qendrës së Tiranës dhe ka bërë propozimin për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, raportoi të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh, me rritje 3%.
Kompani që hynë në listën e më të mëdhenjve në 2017-n, pas dyfishimit të të ardhurave, njohën rënie një vit më pas.
“2T”, në fushën e ndërtimeve, e krijuar që në vitin 2000, me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe projekte rezidenciale, teksa dyfishoi të ardhurat në vitin 2017, në 2.2 miliardë lekë, një vit më pas shënoi rritje minimale prej 1.6%.
Një tjetër kompani ndërtimi, degë e shoqërisë së huaj kuvajtiane, “Combined Group Contracting Company” (K.S.C.) pa një rënie me 27% në vitin 2018, pas dyfishimit një vit më parë.
“G.P.G Company”, e krijuar që në vitin 1996, me aktivitet në fushën e ndërtimit të rrugëve e të tjera, ka dalë sërish nga lista e të mëdhenjve në 2018, pas rënies së qarkullimit vjetor me 23%, në 1.4 miliardë lekë.
“Copri – Aktor”, sipërmarrja greke e angazhuar në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin, pas përfundimit të rrugës. Nga 6 miliardë lekë në 2017-n (e gjashta nga ndërtuesit më të mëdhenj), të ardhurat një vit më pas ranë në 623 milionë lekë. Kompania në vite ka raportuar humbje të mëdha, që të akumuluara në kapital, arrijnë në rreth 5 miliardë lekë.
Një dalje tjetër nga lista e të mëdhenjve është dega e shoqërisë së huaj “Strabag”, që raportoi të ardhura prej 774 milionë lekësh, me rënie 67% me bazë vjetore.
Kompania “A.N.K” që ka fituar koncesionin, për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me një kontratë prej 256 milionë eurosh për 17 kilometra rrugë, të shumë debatuar për vlerën e kripur të saj, nuk figuron në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend, teksa nuk ka dorëzuar ende bilancin e 2018-s (në vitin 2017 kishte të ardhura prej rreth 2 miliardë lekësh).
Nuk kanë munguar as hyrjet e reja, ndonëse më pak se vitin e kaluar.
“PWT Wasser-und Abwassertechnik”, degë e shoqërisë gjermane me të njëjtin emër, e specializuar në ndërtimin e impianteve të ujit, është krijuar në prill 2016. Kompania ka kontratë për rehabilitimin e furnizimit me ujë të Durrësit dhe kishte të ardhura prej gati 1.9 miliardë lekësh në vitin 2018.
Sektori rezidencial
Në vitin 2017, kompanitë e përqendruara në ndërtimin e projekteve rezidenciale, përjetuan një lulëzim të vërtetë, me rritje dy apo dhe treshifrore, e nxitur dhe nga shtimi i lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Kjo tendencë nuk zgjati shumë. Një vit më pas, ndërtuesit më të mëdhenj të apartamenteve panë rënie të qarkullimit vjetor, ose stanjacion.
“Edil-Al-It” në 2017, raportoi dyfishim të të ardhurave në 2.1 miliardë lekë. Një vit më pas, qarkullimi vjetor ra me 9.2%.
“Parc Construction” rriti të ardhurat me 258% në 2017-n, në gati 1.9 miliardë lekë. Në 2018, kompania pa një rënie prej 14.4%.
“Alba Construction”, kishte pothuajse dyfishim të xhiros në 1.9 miliardë lekë në 2017-n. Një vit më pas, qarkullimi vjetor u reduktua me 6.1%
“Agi Kons” ishte një tjetër hyrje e re në vitin 2017, pas rritjes me 23%, në rreth 1.7 miliardë lekë. Në vitin 2018, edhe kjo kompani pa reduktim të aktivitetit, ndonëse me ritme më të ulëta prej -2.5%.
-“Curri”, me aktivitet në punime inxhinierike dhe ndërtime rezidenciale, hyri në 2017-n në listën e më të mëdhenjve, pas një rritjeje me 52%, në 1.7 miliardë lekë. Vetëm një vit më vonë, aktiviteti u reduktua me 41%.
-Me rritje të fortë ishte vetëm “Mane TCI”, pjesë e grupit “Balfin”, që dyfishoi të ardhurat në 6.3 miliardë lekë. Ky zgjerim ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e investimeve në projektet e turizmit. Grupi është tërhequr së fundmi nga projektet në kryeqytet, për shkak të mbindërtimeve, sipas deklarimeve të mëparshme.
Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 940 mijë m2, me një rritje prej 80% në raport me vitin e mëparshëm dhe niveli më i lartë të paktën që nga viti 2012. Ndërtimet pritet të jenë me ritme të larta për 2019-2021. Bashkia e Tiranës parashikon të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja 3.2-4 miliardë lekë në vit, deri në vitin 2021, që i korrespondon minimalisht rreth 350-400 milionë euro investime në vit vetëm në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.
Këto projekte po zhvillohen në një kohë që shtesa e popullsisë së kryeqytetit u përgjysmua në vitin 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2019-n, në Qarkun e Tiranës kishte gjithsej 895 mijë banorë. Ndonëse Tirana dhe Durrësi janë të vetmet qarqe që po rezultojnë me rritje, në kryeqytet në vitin 2019 u shtuan 11 mijë banorë, nga 21 mijë banorë vitin e mëparshëm. Edhe ky fluks që vjen nuk ka kapacitet për të blerë apartamente të shtrenjta.
Operatorët e tregut thonë se prurjet e reja në qytet furnizojnë njëkohësisht tregun e qirasë dhe të shitjes, por ata i përkasin një fashe që kërkojnë çmime ekonomike, gjë që nuk përputhet me bumin e ndërtimeve luksoze dhe me çmime të larta. Disa ndërtues, me përvojë në treg, shprehen skeptikë, nëse këto projekte do të arrijnë të gjitha të përfundojnë, teksa rrezikojnë të mbeten në gropë, apo si skelete të pambaruara./MONITOR
Më të lexuarat








