
Bizneset perballe sfides se Fiskalizimit: Pasiguria dhe kosto qe sjell projektligji i ri
Ministria e Financave nisi konsultimet me grupet e interesit në fillim të muajit Korrik, ndërsa parashikohet që në Janar 2020 të nisë zbatimi i projektligjit për Fiskalizimin.
Paralelisht me fushatën anti-informalitet, qeveria mori nismën që synon të vërë “pikat mbi i” sa i përket evazionit fiskal në vijim, duke bërë transparente marrëdhëniet biznes-konsumator përmes raportimit on line të veprimeve brenda 24 orësh, marrëdhëniet biznes-biznes, si dhe marrëdhëniet qeveri-biznes, përmes një aplikacioni të ri që çdo tatimpagues do ta ketë të detyrueshëm ta instalojë. Por ashtu si çdo nismë tjetër, koha parapërgatitore që u lihet bizneseve është shumë e shkurtër.
Faturimi elektronik
Kompania kroate NEOS ka fituar tenderin prej 15 milionë eurosh për ngritjen e një aplikacioni të ri, i cili do t’u vihet në dispozicion bizneseve për të bërë raportimet on line në lidhje me veprimet që kryejnë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë me dije se objektivi kryesor i projektligjit për “Fiskalizimin”, është ulja e informalitetit në ekonomi, ndërkohë që synohet përmirësimi i administrimit tatimor me qëllim mbledhjen efikase të të ardhurave dhe lufta kundër konkurrencës së pandershme. Për fazën e konsultimit, u lanë afat vetëm dy muaj e gjysmë kohë, çka mund ta bëjë këtë sistem jo funksional dhe mund ta gjejë biznesin të papërgatitur, dhe po ashtu, mund të jetë një skenë e përsëritur e inciativave që hyjnë në fuqi, pa pasur infrastrukturën e nevojshme.
Biznesi “pro fiskalizimit”
Grupet e ndryshme të biznesit, në unanimitet janë pro projektit të fiskalizimit, sipas të cilëve do të ketë ndikim në reduktimin e informalitetit, megjithatë kanë rezerva të shumta. Për eksportuesit, kjo inicaitvë ka nevojë që të shoqërohet edhe me masa të tjera. Edhe industria e turizmit, e cila është cilësuar më problematikja sa i përket informalitetit, e mirëpret këtë inciativë. Kontabilistët janë optimistë për këtë iniciativë në reduktimin e informalitetit. “Ky aplikacion i ri është një gjë e mirë, por unë kam edhe rezervat e mia”, thotë Agim Binaj, ekspert kontabël.
Pesimistë për funksionimin
Bizneset në sektorë të ndryshëm, janë pesimistë për mënyrën se si do të funksionojë aplikacioni i ri dhe a do të përshtaten lehtësisht me të, për shkak edhe të infrastrukturës. Edhe bizneset e mëdha parashikojnë një ngërç në funksionim. Vështirësinë tjetër ai e lidh me mungesën e infrastrukturës. Edhe kontabilistët, janë të mendimit se nëse shpejtohet me këtë proces, do të paraqiten problem gjatë rrugës. “Ne këtë duhet ta bëjmë me faza. Fillimisht duhet të përqendrohemi atje ku kemi 80-90 për qind të bizneseve, siç është Tirana, Durrësi, Vlora. Pastaj të shtrihemi në zonat e thella malore. Periudha përgatitore për mua duhet të jetë shumë e rëndësishme, aq me tepër me njerëzit që merren direkt me këtë punë,” thotë eksperti kontabël Agim Binaj.
Kostot dhe infrastruktura
Ende pa u testuar projekti dhe pa u përllogaritur kostot, Ministria e Financave ka menduar që për biznesin e vogël me qarkullim vjetor deri në dy milionë lekë, ky aplikacion të mund të instalohet falas. Por eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko, ka bërë një llogaritje paraprake dhe sipas tij kostot arrijnë deri në 600 euro për subjekt. “Për çdo biznes kjo është një kosto mesatare nga 400-600 euro, në një kohë që teknologjia e mëparshme funksiononte, nuk është se nuk funksiononte. Ky sistem hedh poshtë 140 mijë kasa fiskale me teknologji të re që do kohë edhe të mësohet, paralel me luftën ndaj infomalitetit” thekson Ceko. Ndërsa sa i takon infrastrukturës, duket se qeveria i ka marrë disi masat.
“Nga të dhënat që kemi marrë nga AKEP, rezulton se 92 për qind e bizneseve janë të mbuluar me internet, ndërsa pjesa e mbetur do të kompensohet me një procedurë tjetër,” është shprehur Ministrja e Financave. E vetëdijshme për problemet që kanë ngritur bizneset, Denaj ka bërë me dije se aplikacioni i ri do të testohet gjatë muajit Tetor dhe në rast se rezulton se bizneset nuk janë gati për ta përdorur, mund të konsiderohet afati për hyrjen në fuqi, përtej 1 Janarit 2020. Procesi i vënies në punë sistemit të fiskalizimit është i ndarë me faza. Faza e parë është Janari 2020, i cili vë “në vend” marrëdhëniet biznes me klientë, ndërsa në tërësi është një process që pritet të finalizohet në vitin 2021. Ku përfshin marrëdhëniet biznes me biznes dhe transaksionet jo cash që kalojnë nëpërmjet sistemit bankar, dhe marrëdhëniet biznes me qeveri, me synimin që gjitha faturat të jenë elektronike në vitin 2021./Scan
Më të lexuarat








