Secondary Adv

Ndryshime ne buxhetin e shtetit: 335 punonjes i shtohen administrates, rritet fondi rezerve

Këshilli i Ministrave ka bërë ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim, duke rishikuar të ardhurat, shpenzimet, dhe numrin e punonjësve në administratë.

 

Bilanci

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme të radhës, qeveria e ka ndryshuar shifrën totale të të ardhurave të pushtetit qendror, duke kaluar në 361 miliardë e 945 milionë lekë, nga 364 miliardë e 945 milionë lekë. Në këtë mënyrë, buxheti në dispozicion do të pësojë një ulje prej 3 miliardë lekësh nga varjanti i miratuar në fund të vitit të kaluar prej Kuvendit të Shqipërisë.

 

Në të njejtën kohë, edhe shpenzimet shtetërore të institucioneve qendrore do të ulen në të njejtën masë. Kështu, nga 397 miliardë e 845 milionë lekë të planifikuara për këtë vit, shifra ulet në 394 miliardë e 845 milionë lekë. Po kështu, shifra është 3 miliardë lekë më e ulët. Në këtë mënyrë, deficiti i planifikuar buxhetor nuk do të ketë ndryshim, duke mbetur në nivelin e 32 miliardë e 900 milionë lekëve.

 

Personeli

Një ndryshim i ndjeshëm ka të bëjë me numrin e punonjësve të administratës, sipas të cilit qeveria ka lejuar një rritje në masën 355 vetë. Kështu, nga 82.100 persona, që parashikon Buxheti të punësohen këtë vit në administratë, numri i tyre do të kalojë në 82.455 tre muajt e fundit të vitit.

 

Pushteti vendor

Akti Normativ ka korrigjuar edhe shifrat buxhetore të bashkive. Sipas dokumentit të miratuar dje në Këshillin e Ministrave, buxhetet e pushtetit vendor në total kalojnë nga 51.3 miliardë lekë, në 55.3 miliardë lekë, si për të ardhurat, ashtu edhe për shpenzimet e tyre. Rritja është në masën 4 miliardë lekë.

 

Rezervat

Një ndryshim tjetër është ai, që ka të bëjë me fondet rezervë të buxhetit të shtetit. Nga 1.5 miliardë lekë, që ishte parashikuar fondi rezervë në fund të vitit të kaluar, korrigjimi i djeshëm e çon atë në nivelin e 2 miliardë lekëve. Fondi rezervë i buxhetit përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, duke lënë të kuptohet se rritja e parashikuar prej 500 milionë lekësh ka të bëjë me shpenzimet e jashtëzakonshme që do të bëjë shteti në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti i muajit të kaluar.

 

Nga ana tjetër, fondi rezervë i sistemit të drejtësisë ulet nga 1.40 miliardë, në 1.35 miliardë lekë dhe do të përdoret: deri në 1 miliardë lekë, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për financimin e pagave të reja të magjistratëve dhe deri në 350 milionë lekë, nga Këshilli i Ministrave, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë./Shqiptarja.com


Më të lexuarat