Secondary Adv

Energjia ne krize: Kredia per kete sektor u rrit me 43 per qind gjate ketij viti

Kredia për sektorin e energjisë po rritet me ritme të larta gjatë këtij viti. 

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli arriti vlerën e 24.4 miliardë lekëve ose rreth 200 milionë eurove në fund të muajit gusht. Krahasuar me një vit më parë, kredia në këtë sektor është rritur me rreth 43%. Këto shifra nuk përfshijnë kreditë e kompanive publike të prodhimit të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, por i referohen vetëm huadhënies për bizneset private. Madje, kredia për kompanitë private të prodhimit të energjisë tashmë kanë kaluar në vlerë kreditë e marra nga kompanitë publike dhe kryesisht nga korporata elektroenergjetike shqiptare. Në fund të muajit gusht, kredia për kompanitë publike kishte vlerën e 22.2 miliardë lekëve. Kreditë dhënë kompanitë private kanë shkuar kryesisht për financimin e projekteve koncesionare të ndërtimit të hidrocentraleve.

 

Qeveria shqiptare ka dhënë gjithsej koncesione për ndërtimin e mbi 450 hidrocentraleve, por deri tani rezulton të kenë përfunduar rreth 100 të tillë. Bëhet fjalë kryesisht për HEC-e me kapacitet të vogël, por ka edhe investime të rëndësishëm, si hidrocentrali i Ashtës në lumin Drin apo ai i Banjës në lumin Devoll. Shifrat tregojnë se rritja e kredisë për biznesin këtë vit është mbështetur kryesisht nga sektori i energjisë. Nga 10.5 miliardë lekë që është rritja totale e portofolit të kredisë për biznesin, 7.3 miliardë kanë ardhur nga ky sektor. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia për bizneset private arriti në 331.6 miliardë lekë në fund të muajit gusht. Kjo shifër përbën 59% të portofolit total të kredisë për ekonominë./Scan


Më të lexuarat