Secondary Adv

400 milione leke fonde per ndertimin e shkollave te reja


Qeveria shpall thirrjen e dytë për ndarjen e fondit për projekte të arsimit, në vlerën 400 milionë lekë, pjesë e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve për vitin 2015. Kjo thirrje për aplikim përfshin projekte për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave të sistemit të arsimit bazë dhe të mesëm të përgjithshëm.

 

Shqyrtimi për financim bëhet për projektet e aplikuara pranë sekretariatit teknik në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, në Kryeministri.


Projektet
Projektet duhet të dorëzohen jo më vonë se data 10 mars 2015. Vlerësimi i projekteve të aplikuara kryhet në dy faza. Faza e parë, sipas vendimit të qeverisë, përbën vlerësimin teknik dhe financiar të projekteve, ndërsa në fazën e dytë kryhet vlerësimi përfundimtar i projekteve.
Në këtë aplikim kërkohet që të bëhet përshkrimi i detajuar i projektit të propozuar:
•    Vendndodhja e objektit të investimit;
•    Përshkrimi i kushteve të objektit ekzistues dhe terrenit, si dhe nevojës për këtë projekt;
•    Përshkrimi i ndërhyrjeve shtesë (sistem ngrohje, mur rrethues, etj.) në objektin ekzistues.
•    Cilat janë problemet që adreson ky projekt dhe shkalla e ndikimit të tij;
•    Risqet për zbatimin e tij.
•    Informacion i qartë në lidhje me pronësinë (nëse parashikohet ndërtimi i një objekti të ri).
•    Harta kadastrale.


Kriteret e vlerësimit teknik që përdoren nga sekretariatet teknike për projektin, marrin deri në 70 pikë. Në analizën teknike të projektit hyn edhe raporti kosto-përfitim, si dhe numri i banorëve që përfitojnë nga ndërtimi i objektit.
Ndërkaq, vlerësimi strategjik ku analizohet nëse projekti është prioritet për atë zonë, merr deri në 30 pikë. Në vlerësim hyn edhe nevoja për ndërhyrje të menjëhershme në infrastrukturën arsimore, duke adresuar edhe shkakun.


Kryesorja është shkalla e përputhshmërisë me përparësitë vendore apo rajonale. Ky vlerësim bëhet nga Sekretariati i Përgjithshëm në Kryeministri. Pak ditë më parë, qeveria ka bërë dy shpallje projektesh për infrastrukturën vendore me financime të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve. Vlera e llogaritur për ndërtimin e rrugëve, shesheve, rikualifikimin e zonave urbane dhe riparimin e fasadave, shkonte në 3 miliardë lekë vetëm për vitin 2015.


Më të lexuarat