Secondary Adv

Nje e treta e familjeve me borxhe: 30 per qind e te ardhurave shkojne per shlyerjen

Gati një e treta e familjeve shqiptare janë të përfshira në borxhe, me më shumë se një hua për shlyer, sipas vrojtimit të BSH për gjendjen financiare të njësive familjare.

 

Për gati tre të katërtat e familjeve huamarrëse, vlerat e shërbimit të borxhit zënë deri në 30% të nivelit të të ardhurave. Totali i tepricës së raportuar të huasë për familjet rezulton në rënie krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe një vit më parë. Rreth 70% e vlerës së huasë është siguruar nga burime formale dhe 30% nga burime joformale. Kjo strukturë, reflekton rënien e ndjeshme të huamarrjes formale krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me një vit më parë. Rreth 86% e huasë është marrë në lekë, ndërsa 14% në euro.

 

Rreth 27% e tepricës së huasë deklarohet për blerjen/riparimin e një prone, 44% për zhvillimin e një biznesi dhe vetëm 9% për konsum. Gjatë periudhës së vrojtuar, pesha e huamarrjes për “blerje/riparim prone” ka shënuar rënie, ndërkohë që pesha e huamarrjes për “zhvillim biznesi” dhe për “konsum” është rritur. Familjet huamarrëse raportojnë se kësti i huasë, gjatë periudhës referuese, ka rënë, si pasojë e rënies në normën e ponderuar të interesit të kredisë për individët. 

 

Rreth 59% e familjeve huamarrëse deklarojnë se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë kryesisht përmirësim krahasuar me 6-mujorin paraardhës dhe me një vit më parë. Për gjashtëmujorin e ardhshëm (gjysma e parë e vitit 2019), shumica e familjeve huamarrëse (rreth 80% e familjeve) nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese, ndërsa balanca neto e pjesës tjetër të të përgjigjurve tregon pritje më të dobët. Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së parë të vitit 2019, vlerësohet disi në rënie krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, gjë që dëshmon për një kërkesë ende të paqëndrueshme të familjeve për huamarrjen./Monitor


Më të lexuarat