Secondary Adv

Vijon rehabilitimi i zones se plazhit ne Golem: Investimi rrit me 30 per qind vleren e prones

Rehabilitimi tërësor i hapësirës urbane në zonën e plazhit në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit në Golem kanë rritur me 30% vlerën e pronave në këtë zonë dhe bizneset.   

 

Kryeministri Rama ka inspektuar punimet për rehabilitimin e zonës së plazhit në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit në Golem. Ky investim ka rritur me 30% vlerën e pronave në këtë zonë dhe bizneset. "Golem- Aty ku rilindja urbane ka ndryshuar rrënjësisht cilësinë e zonës turistike dhe rritur me 30% vlerën e pronës, bizneseve dhe turizmit në këtë zonë. Investimet do të vazhdojnë deri në integrimin e plotë të hapësirave publike, përgjatë gjithë vijës bregdetare" ka deklaruar Rama. 

 

Jo shumë kohë më parë, ajo çka të ofronte zona e plazhit ishte një hapësirë e degraduar mes ujërash të zeza, pluhuri dhe balte, madje edhe përmbytjesh, sot është transformuar në një hapësirë të mirëorganizuar e funksionale rezidenciale, turistike dhe shërbimesh. Janë rikonstruktuar 5.5 kilometra rrugë të brendshme dhe rrugë dalëse në det në Shkëmbin e Kavajës dhe Malin e Robit, janë ndërtuar lidhje të reja me kolektorin e ujërave të zeza; disiplinimi i ujërave të bardha; krijimi dhe sistemimi e hapësirave publike; ndërtimi i trotuareve; krijimi dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra; ndriçimi dhe ndërtimi e pikave të grumbullimit ditor të mbetjeve urbane. 

 

Po ashtu është bërë edhe sistemimi i Përroit të Durrësit që kalon në zonën e plazhit te Shkëmbi i Kavajës. “Janë trajtuar me të gjithë elementët nga trajtimi i Përroit të Durrësit që është sistemuar, që ishte një histori ndotjesh të përhershme, tek të gjithë elementet e ndriçimit, trotuareve, detajet për njerëzit me aftësi ndryshe deri në daljen në det. Kjo ka qenë një zonë që mbytej, ishte baltë dhe sot që flasim vlerat e pronave është rritur me 30%, vlera e bizneseve është rritur dhe impakti në turizëm është domethënës,” – tha Dritan Agolli, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, realizues i këtij investimi.

 

Investimet në zonën e plazhit janë shtrirë edhe në Golem, ku ka përfunduar ndërtimi i shëtitores në hyrje të kompleksit “Mak Albania” dhe kanalit kullues dhe rrugës që fillon nga rrethrrotullimi tek Mali i Robit deri në bregdet. Impakti i këtyre investimeve ka qenë i menjëhershëm, sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke nisur nga sezoni turistik i këtij viti, e shënjuar nga rritja e aktivitetit të bizneseve dhe cilësia e akomodimit të turistëve. /Shqiptarja.com


Më të lexuarat