Sipërmarrjet në 12 qytete të vendit do të preken nga rritje e tarifave të ujit të pijshëm. Enti Rregullator i Ujit po shqyrton aplikimet e 12 kompanive të ujësjellës-kanalizimeve në të gjithë vendin për rrtije të çmimit të ujit të pijshëm.
Madje aplikimet për rritje nga kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve për këtë kategori, janë në shifra të larta. Shoqëria që ka aplikuar për tarifën më të lartë është ajo e Elbasan Fshat, e cila ka kërkuar çmim 200 lekë/ m3 nga 110 lekë/m3 që është aktualisht. E ndjekur nga shoqëria e Lezhës e cila ka aplikuar tarifë prej 167 lekë/ m3 ujë.
Aplikime për rritje mesatare të tarifave nga këto qytete, kanë bërë Fieri me 137 lekë/m3, Saranda, Lushnja, Korça, dhe Erseka. Kërkesë për tarifë më të ulët për bizneset e ka bërë kompania e ujësjellës-kanalizimeve Gjirokastër, me 130/m3 dhe Himara që aktualisht nuk ka tarifë, me 120 lekë për m/3. Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizime
Tiranë ka tre vite që nuk aplikon për rritje të çmimit të ujit të pijshëm, megjithëse çmimi që aplikohet për bizneset hyn në ato mesatare, në 135 lekë për m3. Duke iu referuar traifave aktuale që janë në fuqi për sipërmarrjet, kompania Gjirokastër Fshat aplikon çmimin më të ulët me 60 lekë/m3, ndërsa çmimin më të lartë e aplikon Lezha me 145 lekë/m3, e cila sërish ka kërkuar rritje, por po ashtu edhe Korça operon me tarifë të lartë në 140 lekë / m3, që sërish ka bërë kërkesë për ndryshim.
Kompanitë Fier, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Sarandë, Ersekë dhe Korçë janë shoqëri, për të cilat aplikimi i përvitshëm për ndryshimin e tarifave bazohet në planet e tyre të biznesit. Këto aplikime aktualisht janë në shqyrtim nga Enti Rregullator i Ujit, dhe pas vlerësimit të performancës së kompanive do të merret vendimi se sa do të rritet çmimi i ujit të pijshëm për secilën kompani. Afati i fundit për marrjen e vendimit është data 30 Mars.