Secondary Adv

Ulen ndjeshem fitimet e biznesit te vogel ne 2019: Bizneset e medha u marin 23 per qind te shitjeve

Motori i ekonomisë shqiptare, bizneset e vogla kanë raportuar përkeqësim të aktivitetit në gjysmën e parë të vitit 2019 sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë.

 

Banka raportoi se ndërmarrjet e vogla vijojnë të raportojnë rënie të nivelit të shitjeve gjatë periudhës (balancë neto -23.4%), në përkeqësim krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, situata ka rezultuar pozitive për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë shënuar balanca neto pozitive të shitjeve, (respektivisht +7.1% dhe +12.5%), por gjithashtu në rënie krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Lidhur me pritshmëritë për nivelin e shitjeve të përgjithshme për gjashtëmujorin e ardhshëm, të tre grupet e ndërmarrjeve paraqiten optimiste, duke pritur një rritje të nivelit të shitjeve. 

 

Subjektet janë shprehur më optimiste në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe në nivele të krahasueshme me një vit më parë. Rezultatet ecin në mënyrë të ngjashme edhe për ndryshimin e rezultatit financiar në gjysmën e parë të vitit 2019, duke ndjekur ecurinë e balancës së shitjeve të përgjithshme. Kështu, ndërmarrjet e vogla vijojnë të vlerësojnë rënie të rezultatit financiar gjatë periudhës, me një balancë neto negative -21.9%, në thellim të dukshëm në krahasim me periudhat e mëparshme. Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha deklarojnë balanca pozitive të rezultatit financiar të tyre gjatë periudhës, respektivisht +3.3% dhe +12.4%, por në përkeqësim krahasuar me periudhën e kaluar. 

 

Pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pozitive për të tre grupet e ndërmarrjeve, dhe më optimiste se në gjashtëmujorin paraardhës, çka shkon në të njëjtën linjë me pritshmëritë për ecurinë e shitjeve. Në grupin e ndërmarrjeve të përgjigjura, mbi 85% e tyre, për secilën kategori madhësie, kanë raportuar fitim gjatë periudhës. Kjo peshë ka rezultuar më e lartë tek ndërmarrjet e mëdha (92.6%) dhe më e ulët tek ndërmarrjet e vogla (85.0%). Krahasuar me periudhën e kaluar dhe sikurse u vu re deri tani, peshat e ndërmarrjeve që kanë raportuar fitim kanë qenë në rënie tek të tre grupet e ndërmarrjeve./Monitor


Më të lexuarat