Secondary Adv

Shkon ne 880 mln euro borxhi i bizneseve ndaj Tatimeve: Ja 30 debitoret me te medhenj

Taksat që bizneset, (shumë prej tyre të falimentuar tashmë), nuk kanë paguar në vite kanë arritur në 107.7 miliardë lekë, ose rreth 880 milionë euro. 

 

Shifra bëhet e ditur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për buxhetin faktik 2018. Në fund të 2017-s, borxhi ishte 95 miliardë lekë, pra është shënuar një rritje prej rreth 13%. Peshën më të madhe të këtij borxhi e kanë drejtoria rajonale Tiranë, me 43% të totalit dhe Drejtoria e tatimpaguesve të mëdhenj (VIP), me 28% të totalit, e ndjekur nga durrësi, me 7%. Ndërkohë, tatimet kanë bërë të ditur edhe listën e 30 debitorëve të mëdhenj, ku debitori më i madh në shtet është rafineria e naftës A.R.M.O, me një detyrim prej 8.4 miliardë lekësh. Kompania është me status pasiv dhe është në procedurë të konfiskimit të pasurisë. Debitori i dytë më i madh është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHHE), me një borxh prej 6.2 miliardë lekësh.

 

I treti është IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY – IRTC edhe kjo një kompani që ka shfrytëzuar rafinerinë e naftës, me 5.4 miliardë lekë. Debitori i katërt më i madh është EFOR –K SHPK, që ka një borxh tatimor prej 3.8 miliardë lekësh. Kompania është krijuar në vitin 2007, me aktivitet në fushën e import-eksport, tregti me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshëm industrial dhe ka pasur probleme që prej vitit 2013, kur kanë filluar dhe urdhrat për sekuestro, sipas ekstraktit në QKB dhe është në lsitën e bizneseve me barrë hipotekore prej 2016-s. I pesti është operatori tjetër shtetëror i energjisë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (Sh.a KESH), me një borxh tatimor prej gati 2 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga tatimet.

 

Tatimet pohojnë se janë në komunikim ndërinstitucional për përmbushje te detyrimit. Listën e vijojnë KOTERRI, TOP BAST, ENERGJI SHPK, BELLE  AIR (që është në proces falimentimi). Në vend të 11 është Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, me një borxh tatimor prej 1 miliardë lekësh, në proces ankimimi. Simmons Edeco Limited, Dega ne Shqiperi, nënkontraktor i Bankers, është në proces ankimimi për një borxh prej rreth 570 milionë lekësh. Kompanitë me status aktiv kanë 43% të borxhit në total vendi, ndërsa 57% janë subjekte që nuk kanë më aktivitet.

 

KLSH thekson se nga auditimi për masat shtrënguese të marra për 10 prej tatimpaguesve më të mëdhenj, ku veçohen KESH sh.a, OSHE, Bankers Petroleum Albania”LTD, “Simmons Edeco Limited, të cilët nuk në proces animimi administrative dhe gjyqësor referuar raportimit nga DMF, konstatohet se, administrimi i procesit të masave shtrënguese deri në mbledhjen e detyrimeve tatimore ka mos ezaurim të plotë të hapave që duhet të ndërmarrë administrata tatimore për rikuperimin e tij konform përcaktimeve të Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe udhëzimit në zbatim të tij, pasi është marrë vetëm masa e bllokimit të llogarive bankare duke mos vazhduar me hapat e mëtejshëm që përcakton legjislacioni tatimor./Monitor 


Më të lexuarat