Secondary Adv

Kompensimi i pronave, ja dosjet qe nuk kualifikohen

 


Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mbylli dje procesin për pranimin e kërkesave për kompensimin në të holla nga fondi i vitit 2014. Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 dhe nuk kanë plotësuar dokumentet rrezikojnë të përjashtohen nga ky proces.


Ky proces u çel një muaj më parë dhe personat që nuk kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar do të skualifikohen. Sipas paralajmërimit nga AKKP dje skadoi afati për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave për kompensimin në të holla, nga fondi në të holla për vitin 2014, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim.


Shpërndarja e fondit
Bazuar në rregullat dhe kriteret për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2014, përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës tokë truall, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2014 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara, të cilët janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë.


Kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës miratuar me VKM. nr. 514 datë 30.07.2014 “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë” sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.
Masa e kompensimit është 200 m² e sipërfaqes truall të caktuar për kompensim në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës të miratuar me VKM–në e mësipërme. Sipas AKKP-së aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në të cilën në rast përfitimi do të depozitohet shuma që përfitohet.


Dosjet për kompensim
Në rast se aplikimi kryhet për vendime të tjera, të ndryshme nga ai me të cilin është aplikuar në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 subjektet duhet të plotësojnë dhe paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e plotë që përcaktohet në përputhje me pikën 4 të VKM nr. 889 datë 17.12.2014. Ndërkohë të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit, përjashtohen nga procedura e mëtejshme si dhe mbajnë përgjegjësi penale sipas ligjit. Ndërsa subjektet e shpronësuar, të cilët kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013, dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2014.


Dokumentet për të përfituar
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM-së së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave, (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;
c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim. Plani i rilevimit duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur, të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;
d) Dëshminë e trashëgimisë
e) Prokurë, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;
g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;
h) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë.
Subjektet përfituese

– Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 duhet të paraqesin pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:


a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet VKM së mësipërme, të plotësuara sipas rubrikave, (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009, 2011,2012 dhe 2013 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.


Më të lexuarat