Secondary Adv

Projekt per transformimin e landfillit te mbetjeve: 1.68 mld leke per Eco Park Durres

Projekti ‘Eco Park’ për Durrësin pritet të transformojë hapësirën 155 mijë metra katrorë të vend-depozitimit të mbetjeve, në një ambient të mbushur me gjelbërim.

 

Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka vënë në dispozicion të projektit një fond 1. 68 miliardë lekë, i cili do të shtrihet në një hark kohor të një viti e gjysëm, sipas specifikimeve të tenderit. Aplikantët e interesuar do të mund të aplikojnë deri në datën 19 nëntor, ora 12:00. ‘Eco- Park Durrës’, nga detajet teknike, është strukturuar në 8 zona; parkimi, zona teknike, zona e aksesit, zona për aktivitete sportive, kopshti botanik, muri multifunksional për ngjitje dhe zip line, unaza e qarkullimit, kodra e brendshme dhe mali, si dhe kodra e jashtme.

 

“Parkimi i automjeteve ka një kapacitet për 229 makina, duke përfshirë katër vende parkimi për automjete për persona me aftësi të kufizuar. Ka pemë dhe një dysheme parkimi të gjelbër e përbërë me material shtrimi prej betoni e mbushur më barë, e cila do të sigurojë paraqitjen e gjelbër të saj. Parkimi ndodhet jashtë zonës së rrethuar të parkut për të garantuar sigurinë dhe kontrollin e landfillit. Parkimi është gjithashtu i lidhur mirë më zonën e aksesit dhe me pavionin e aksesit. Parkimi për autobuza ndodhet përballë pavionit të aksesit dhe ka një kapacitet për tre autobuza” shkruhet në relacionin teknik të tenderit.

 

Ndërkaq, zona e aktiviteteve sportive pritet të jetë e pajisur me 3 fusha basketbolli të përshtatura edhe për volejboll, 1 fushë për Futsal (mini-futboll), 2 fusha tenisi, 2 fusha ‘Petanque’, 3 tavolina ping pongu, etj. Këto të fundit, për shkak të ndriçimit, supozohet të jenë funksionale edhe gjatë natës. Po ashtu, sipas specifikimeve teknike, zona do të përmbajë 8 kodra të brendshme dhe mali, si dhe 6 kodra të jashtme, 2 prej të cilave, me platformë për ‘zip line’. Nga ana tjetër, projekti parashikon edhe ambiente për bare dhe restorante, parqe pushimi, zona informacioni apo biletari, nëse do të jetë e nevojshme./Scan


Më të lexuarat