Secondary Adv

Qeveria humbi 11.5 mln euro nga eurobondi- KLSH: Shkak rifinancimi i eurobondit te 2015

Share on Google+

KLSH konstatoi në raportin e buxhetit faktik 2018 se nga emetimi i eurobondit në 2018, një pjesë e të cilit ishte blerje mbrapsht e eurobondit të 2015, qeveria rezultoi me humbje. 

 

Kjo pasi kosto e blerjes mbrapsht ishte më e lartë se ajo e mbajtjes së eurobondit ekzistues, duke shkaktuar një humbje prej 11.5 milionë eurosh, sipas vlerësimit të KLSH-së. “Emetimi i Eurobond-it gjatë vitit 2018 paraqet një detyrë komplekse për Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MFE) në drejtim të menaxhimit të procesit në vazhdimësi dhe përmbyllja e tij tregon për një realizim, duke marrë në konsideratë punën e kryer, edhe sipas vlerësimit të institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2018 është realizuar emetimi i Eurobond-it në vlerën 500 milionë euro dhe në të njëjtën kohë, blerja mbrapsht e një pjese të Eurobond-it të vitit 2015 (në shumën 200 milionë euro vlerë nominale).

 

Emetimi i këtij transaksioni, duke siguruar një normë interesi prej 3.5% në krahasim me 5.75% të Eurobond-it të vitit 2015 vlerësohet i suksesshëm në funksion të riskut të ulur. Megjithatë, KLSH vlerëson se transaksioni i blerjes mbrapsht të një pjese të Eurobond-it ekzistues nuk ka marrë në analizë një vendimmarrje kosto-përfitim në raport me risqet e eliminuara, si pasojë e këtyre transaksioneve. “Nga auditimi konstatohet se analiza e kryer në lidhje me procesin e blerjen mbrapsht ka adresuar uljen e riskut të rifinancimit të Eurobond-it në vitin 2020, kur maturohet dhe në të njëjtën kohë, uljen e riskut të normës së interesit, megjithatë nuk rezulton të jetë kryer një analizë e plotë për qëllime të vendimmarrjes në lidhje me dy alternativat kryesore për financimin e nevojshëm deri në vitin 2020”, thuhet në raport.

 

Në këtë mënyrë, në drejtim të kostove relevante në vendimmarrje, konstatohet se kostoja e blerjes mbrapsht rezulton më e lartë se kostoja e vazhdimit të Eurobond-it ekzistues, pasi shuma e primit të paguar prej 20.15 milionë eurosh (19.5 milionë euro primi + 0.65 milion euro shpenzimet e ndërmjetësimit) është më e lartë se kursimi që vjen nga emetimi i 200 milionë eurove, me një normë interesi më të ulët në shumën 9 milionë euro (kursim prej 4.5 milionë eurosh në vit për 2 vjet, si pasojë e diferencës ndërmjet interesit vjetor prej 11.5 milionë euro, me atë 7 milionë euro të rifinancuar), me një diferencë prej 11.15 milionë eurosh. 

 

Për sa më sipër, KLSH vlerëson se të dy palët (MFE dhe KLSH) kanë kryer përllogaritje të ngjashme për sa u përket kostove, por MFE në observacionet e saj, duke u shprehur për risqet e larta të rifinancimit që ka Shqipëria sipas vlerësimit të saj, vlerëson se kostot e krijuara justifikojnë risqet e administruara. Në lidhje me procedurën e përzgjedhjes së menaxherit kryesor për emetimin e Eurobond-it në vitin 2018 janë konstatuar parregullsi në drejtim të vendosjes së nënkritereve të vlerësimit pas shpalljes së kërkesës për propozimin financiar jo në përputhje të plotë me kriteret e vendosura në VKM nr. 182, datë 25.02.2015 “Për përcaktimin e procedurës për përzgjedhjen e rregulluesit kryesor (Lead Manager) dhe/ose huadhënësit për realizimin e huamarrjes me instrumente financiare në tregun e huaj”, të ndryshuar./Monitor 


Më të lexuarat