Secondary Adv

Perkeqesohen ndjeshem eksportet: Tregtia me Kosoven shenon renie

Eksportet kanë vijuar me performancën e tyre negative edhe në muajin shtator. 

 

Në Shtator 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u ulur me 5,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 225 mld lekë, duke u ulur me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Kjo performancë negative është ndikuar nga tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”. Grupi ma i madh i eksporteve “Tekstile dhe këpucë”, shënoi rënie të eksporteve me 3%, duke zbritur në 90 miliardë lekë. Euro e dobët, ndryshimi i kërkesave të konsumatorëve për veshje, që po prekin prodhuesit dhe mos mbyllja e kontratave afatgjata, janë arsyet kryesore sipas eksportuesve. Ky grup zinte 40% të totalit të eksporteve.

 

Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kanë shënuar rënien më të fortë me 17.2%, në 36 miliardë lekë, të ndikuara nga rënie e prodhimit të energjisë si rrjedhojë e motit të thatë, ndryshe nga viti i kaluar. Ndërsa Bankers, eksportuesi më i madh i naftës pohon se prodhimi dhe eksportet ishin në rritje. Në rënie të fortë ishin dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, me tkurrje 13.2% me bazë vjetore për 9 mujorin, kryesisht nga performanca e dobët e industrisë së çimentos dhe tullave, teksa prodhuesi i çelikut Kurum pohon se ka pasur aktivitet në rritje. Rritje të lartë shënuan eksportet e “ushqim, pije dhe duhan” me gati 14%, e ndikuar nga një sezon i mirë bujqësor.

 

Ndërsa sektori që po përjeton lulëzim të vërtetë është ai i “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, shitjet jashtë vendit të së cilës u zgjeruan me 31%, në 16 miliardë lekë, por që ende zënë një peshë të ulët në totalin e eksporteve, prej 7.3%. Ndërtimi i disa fabrikave që montojnë sisteme elektrike për automjetet, si Delmon, Forschner, PSZ Albania, po i jep hov këtij sektori. Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,7 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,6 pikë përqindje.

 

Thellohet deficiti

Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 225 mld lekë, duke u ulur me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 481 mld lekë, duke u rritur me 3,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 256 mld lekë, duke u rritur me 8,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018. 

 

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:

Rënia vjetore e eksporteve prej 5,5 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,4 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +0,7 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +0,5 pikë përqindje.

 

Bie tregtia me Kosovën

Në muajin Shtator 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtator 2018 janë: Spanja (6,0 %), Gjermania (6,4 %), dhe Kina (165,6 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-5,9 %), Kosova (-6,2 %) dhe Greqia (-3,7 %). Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (16,2 %), Gjermania (6,0 %), dhe Kina (16,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-2,1 %), Spanja (-16,1 %) dhe Greqi (-2,7 %).

 

Në muajin Shtator 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shtator 2018 janë: Turqia (+30,2 %), Greqia (+4,1 %), dhe Kina (+4,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-5,4 %), Rusia (-14,9 %) dhe Kosova (-10,5 %). Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (16,5 %), Turqia (10,0 %) dhe Greqia (7,9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-5,5 %), Gjermania (-8,4 %) dhe Serbia (-28,4 %)./Monitor 


Më të lexuarat