Secondary Adv

Nis se shpejti projekti i BB per sigurine e rrugeve: 171 mije euro vlera e tenderit

FSHZH ka njoftuar se ka përzgjedhur Fred Engineering të Italisë dhe kompaninë lokale Infrakonsult për të ofruar shërbime mbikëqyrjeje për zbatimin e projektit. 

 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar se, si autoriteti kontraktues i projektit të financuar nga Banka Botërore për përmirësimin e lidhjes rrugore në Shqipëri, ka zgjedhur një ndërmarrje të përbashkët që përfshin ‘Fred Engineering’ të Italisë dhe kompaninë lokale ‘Infrakonsult’ për të ofruar shërbime mbikëqyrjeje për zbatimin e projektit në fjalë. Vlera e parashikuar e kontratës është 187.680 dollarë (ose 171,021 euro). Detyra përfshin shërbime këshillimi për identifikimin dhe mbikëqyrjen e ndërhyrjeve të mundshme të sigurisë rrugore dhe inspektimet e sigurisë rrugore.

 

Ky projekt do të duhet të zbatohet brenda një afati prej 10 muajsh dhe sipas të dhënave të detajuara, në total shtatë kompani morën pjesë në tenderin e kontratës. Qëllimi i shërbimeve është kontrolli i sigurisë së segmenteve rrugorë në zbatim të këtij projekti dhe përgatitja e projektimit të një zone modeli me standardet më të larta të sigurisë. Konsulenti gjithashtu do të ketë të drejtë të mbikëqyrë ndërhyrjet e propozuara në këtë detyrë. Banka Botërore po ofron një kredi 50 milion dollarë për zbatimin e projektit për rindërtimin e rreth 45 km rrugë rajonale dhe lokale në Shqipëri. 

 

“Projekti mbështet përmirësimin e qasjes në disa qendra bujqësore dhe turistike në Shqipëri,” tha Banka Botërore në prill. Ky projekt synon përmirësimin e jetës së qytetarëve në zonat rurale, afrimin e tyre me tregjet dhe qëndrat urbane si dhe impakt në aspektin turistik. Projekti i ri për rrugët rajonale dhe lokale vjen pas atij të rrugëve dytësore, i cili nisi në vitin 2008 dhe u financua me një vlerë prej 368 milionë dollarësh. Projekti i ri ka si synim prioritarizimin e investimeve në funksion të turizmit, agrikulturës, por edhe disa sektorëve të tjerë të rëndësishëm. “Ky projekt i ri ngrihet mbi këto rezultate e eksperiencë. 

 

Ai do të orientohet drejt një qasje më strategjike, që mundëson zhvillimin e turizmit dhe sektorët agrikulturorë, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore që siguron akses të drejtëpërdrejtë për potencialet turistike e agrikulturore dhe ofron lidhje alternative me sistemin rrugor ekzistues. Programi i rrugëve rajonale e lokale do të promovojë gjithashtu zhvillim të qëndrueshëm rajonal përmes përmirësimit të infrastrukturës rrugore në mbështetje të zhvillimit të sektorit të turizmit dhe agrikulturës” thuhet në dokumentin e Fondin Shqiptar të Zhvillimit i emërtuar si Kuadri i Politikave të Risistemimit, Projekti i Rrugëve dytësore dhe Lokale./Monitor


Më të lexuarat