Paketa Fiskale 2016, takse mbi pronen dhe TVSH ne banesat e reja
"Monitor" Paketa Fiskale 2016-Ka nisur puna për konsultimin e paketës fiskale të vitit 2016. Procesi është në fazën që Ministria e Financave kërkon nga organizatat e biznesit dhe ministritë e linjës të japin propozimet konkrete, bëjnë me dijë burimet nga Ministria e Financave.
Grumbullimi dhe trajtimi i propozimeve do të bëhet brenda këtij gjashtëmujori dhe në pjesën e dytë të vitit do të formulohen ndryshimet në legjislacionin fiskal. Pasi të jetë konsultuar me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, paketa do të miratohet në qeveri dhe më pas në Parlament për hyrë në fuqi në fillim të vitit që vjen.
Paketa Fiskale 2016 Në themel të ndryshimeve të vitit 2016 do të jenë taksimi mbi pronën dhe TVSH për banesat e reja, për të cilat po punohet në Ministrinë e Financave qysh vitin e kaluar.Ministria e Financave, ka nisur punën për përgatitjen e kadastrës fiskale, apo siç është njohur tashmë ndryshe edhe si regjistrimi online i pasurive të paluajtshme.
Kjo do të sjellë zgjidhjen përfundimtare në mbledhjen e taksave për pronat e paluajtshme dhe do të minimizojë informalitetin në këtë sektor. Sipas projektit, regjistrimet që do të bëhen në kadastrën fiskale, do të bëhen me emër të zotëruesit (pronarit), numrit rendor që i përket objektit, sqarimi i detajuar se për çfarë përdoren hapësirat e objektit, sipërfaqja totale si dhe vlera monetare që ai objekt ka. Vlerësimi monetar do të bëhet në bazën e çmimeve të tregut. Kjo masë pritet të ulë informalitetin në pagesë e taksës së pronës, evazioni i së cilës në Shqipëri është i lartë. Taksat ndaj pronës nuk arrijnë as 1 % të PBB në Shqipëri në një kohë që në vendet e BE grumbullojnë 6% të PBB
Gjithashtu e planifikuar që vjet, aplikimi i TVSH për banesat e reja pritet të finalizohet më 2016. Kjo do të thotë se, çmimet e shtëpinë të reja do të rriten me 20%. Sipas ligjit aktual për TVSH-në, neni 20, “Furnizimi i ndërtesave është një furnizim i përjashtuar”. Pra deri tani shitja e banesave ka qenë e përjashtuar nga TVSH-ja për të mos rënduar mbi çmimin e apartamenteve. TVSH në fakt është një taksë konsumi dhe ajo transferohet direkt tek konsumatori, nëpërmjet rritjes së çmimit.
Nëse do të vendosej kjo taksë, një qytetar që do të blinte një apartament që kushton sot rreth 50 mijë euro, duhet të paguajë dhe 20% TVSH (rreth 10 mijë euro të tjera), pra çmimi shkon në rreth 60 mijë euro.