Secondary Adv

Rritet kerkesa e kompanive per valute: Euro nuk ndal rritjen

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer gjatë ditës së sotme me 123.84 lekë, me një rritje të lehtë në krahasim me një ditë më parë.  

 

Aktualisht euro po këmbehet në nivelet më të larta që prej muajt prill të këtij viti. Vetëm gjatë tetorit, euro fitoi ndaj lekut vendas më shumë se 1.7 pikë. Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit, një nga arsyet kryesore që po ndikon në rritjen e monedhës së përbashkët është edhe rritja e kërkesës për valutë nga kompanitë që duan të transferojnë fitimet te kompanitë nëna. Këtë vit, ndryshe nga vitet e mëparshme, një lehtësi fiskale për bizneset, sipas së cilës, bizneset do të tatoheshin me 8% për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë (nga 15% që ishte më parë), përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që: tatimi që u përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019.

 

Pas afatit të fundit për pagesën e dividendit për fitimet e pashpërndara, kompanitë po vijojnë të transferojnë fitimet te kompanitë mëma jashtë. Megjithatë ekspertët e këmbimit valutor theksojnë se një pjesë e këmbimeve janë kryer gjatë muajve korrik dhe gusht, por në atë kohë efekti i blerjeve nuk u ndie shumë në treg, pasi u amortizua nga prurjet e larta të valutës. Ndërsa aktualisht kur nuk është sezoni i prurjeve të euros, efekti po ndihet më i fortë. Gjithashtu, shpjegojnë ekspertët, janë rritur edhe pritshmëritë e tregut për forcimin e euros, gjë që ka çuar në rritjen e kërkesës për valutë.

 

Kompanitë shpërndanë rreth 1.1 miliardë euro dividend, më shumë se gjysma të huaja

Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të ardhurat nga dividendi në janar-shtator të këtij viti ishin rreth 11 miliardë lekë (90 milionë euro), me trefishim në raport me vitin e mëparshëm. Kësaj shume i korrespondon një fitim i shpërndarë prej 137 miliardë lekësh (rreth 1.1 miliardë euro), bazuar në një nivel dividendi prej 8%. Kompania që bëri shpërndarjen më të madhe të dividend ishte Telekom Albania. Në prill të këtij viti, Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend, ka vendosur që të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication.

 

Shoqëria ka një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga vitet 2001 deri në vitin 2010 dhe që tani do të shpërndahen në formën e dividendit për aksionerët. Operatori i telefonisë celulare ka derdhur 2 miliardë lekë pagesë në shtet si tatim mbi dividend. Përfituesi i dytë më i madh ishte Banka Kombëtare Tregtare, që ka derdhur 193 milionë lekë pagesë për dividend, i ndjekur nga Tirana International Airport, me 158 milionë lekë, Raiffeisen, 67 milionë lekë, sipas tatimeve. Këto katër kompani janë me kapital të huaj dhe kishin më shumë se 500 milionë euro fitime të pashpërndara. Më pas, në listë janë Agna, Alfa sh.a., Montal, Elka-SA, Pegasus, Alb-Building etj.


Më të lexuarat