Secondary Adv

Kompanite e ndertimit, konsumatoret kryesore te tregut te zi


Sondazhet nga e gjithë bota tregojnë se përafërsisht 35% e firmave kanë vështirësi për financim në tregun ligjor të kredisë, të cilat përgjithësisht gjejnë financim në tregjet informate. Noterët pohojnë se, huamarrësit më të mëdhenj janë ndërtuesit, të cilët japin edhe interesat më të larta.


 Ndërtimi mbetet një nga sektorët më të prekur nga kriza. Pas rënies së kredisë dhe uljes së kërkesës për objekte të reja, ndërtuesit gjenden me stoqe të pashitura dhe me bilance të rënduara. Sektori që pësoi rënie dyshifrore në vitet e fundit tani është edhe kredimamarrësi më i keq në banka. Në këto kushte, bizneset janë drejtuar në tregun e zi. Tregtarët gjithashtu janë konsumatorët e huas jashtë bankave.


Nevoja për likuiditet në periudhat e furnizimit i bën ata që të financohen në të zezë në momente të caktuara dhe me interesa shumë të larta. Ali Duku, një biznesmen i importit të metrazheve tha se, kohët e fundit është detyruar të marrë hua në tregun e zi, për shkak të ndryshimit të burimit të furnizimit nga Siria në Turqi. Ai pohon se ka marrë të paktën katër kredi në tregun e zi me afat kthimi deri në 6 muaj. Të katër huat së bashku arrijnë në 40 mijë euro. Ai përllogarit që në fund të 6 muajve të ketë kthyer interesa 8 mijë euro, interesi është më shumë se 20%. Shumat janë marrë nga të afërm të tij emigrantë dhe pa marrëveshje noteriale. Deri më tani ka arritur të shlyejë pagesat, por nuk garanton se kjo do të ndodhë edhe në ardhmen, pasi edhe mobilieritë, që janë konsumatorët kryesorë të tij, janë në krizë likuiditetesh, pasi janë të varura kryesisht nga zhvillimet në sektorin e ndërtimit.


Gjithashtu, anëtarë nga Shoqata e Ndërtuesve kanë pohuar fenomenin e huamarrjes në tregun e zi. “Është e vërtetë që ka biznese që marrin kredi në tregun informal, por ne nuk kemi shifra të sakta mbi sasinë dhe numrin e tyre. Për ne ky është një fenomen shumë shqetësues, sepse kryesisht këto para vijnë nga veprimtari joligjore dhe si pasojë nxisin edhe kriminalitetin në vend”, thotë Hajredin Fratari, kryetar i Konfindustrisë Shqiptare. Fratari kujton se kredia informale ishte diçka e zakontë në fillim të viteve ‘90 ku operonte vetëm një bankë dhe kur tregtia, që ishte edhe biznesi kryesor, kishte nevojë për kapital qarkullues intensiv dhe të madh. “Asokohe, kreditimi i kapitalit qarkullues bëhej nga tregu i zi, por duke qenë se biznesi i tregtisë kishte norma shumë të mëdha fitimi, që arrinin 200-300%, sipërmarrësit nuk nguronin të merrnin para përmes këtij tregu, megjithëse me norma të larta interesi”.
Megjithatë, në kushtet kur biznesi ka nevojë për kapital qarkullues apo investues, janë të shumtë sipërmarrësit që kanë gjetur “shpëtim” te ky treg. Por problematike është kriminaliteti që nxisin këto lloj huamarrjesh. “Këta njerëz që japin kredi informale e kanë garantuar atë përmes rrugëve joligjore, sepse ndryshe do ta investonin apo do ta mbanin në bankë. Kjo sjell mjaft probleme, sepse jo vetëm nxit paranë informale, por edhe kriminalitetin, pasi ka pasur raste kur për shkak të mospagimit të huave dhe të interesave, janë goditur apo kanë humbur jetën biznesmenë. Për ne, ky është një fenomen shumë shqetësues”, thotë drejtuesi i Konfindustrisë Shqiptare.


Fajdet si një “biznes” i organizuar
Financierët në bizneset VIP konfirmojnë një prirje tjetër. Shumë nga kompanitë e mëdha në momente të caktuara kanë nevojë për likuiditet të shpejtë, çka bën që për lehtësi t’i drejtohen tregut informal. Agjencitë e këmbimit rezultojnë të jenë edhe huadhënës të rëndësishëm për korporatat. Për një periudhë deri në njëmujore, agjencitë e këmbimit financojnë kompanitë e mëdha, kundrejt interesave që i kalojnë 30%. Ky lloj biznesi që ushtrojnë agjencitë e këmbimit valutor është i palicencuar. Por kjo formë e sofistikuar është disi më e besueshme se grupimet e tjera në tregun e zi. Ekonomistët shpjegojnë se, janë gjithnjë e në rritje grupet që financojnë në mënyrë të organizuar biznese të mëdha, të cilat kanë edhe personel të specializuar për grumbullimin me forcë të detyrimit. Zakonisht, interesat që japin grupet e specializuara të fajdeve arrijnë edhe në 7% në muaj.


Përmbaruesit: Kontratat e huas, ndërhyjmë kur janë titull ekzekutiv

Zyrat e përmbarimit ekzekutojnë pengjet nga deklaratat noteriale vetëm kur ato janë titull ekzekutiv. Fabio Isufaj, një përmbarues privat shpjegon se kontratat noteriale të huas, në disa raste, përbëjnë titull ekzekutiv dhe në disa të tjera jo.
Gjykata e Lartë, me një vendim të posaçëm, ka shtrënguar trajtimin si titull ekzekutiv jashtë bankave, duke specifikuar disa kushte. Për shembull, kontrata e huas duhet të shoqërohet nga deklarata noteriale e cila merr në konsideratë mbështetjen ligjore që i jepet huadhënësit nëpërmjet pengjeve të lëna dhe argumentimit ligjor sipas parashikimeve në Kodin Civil. Isufaj tha se, në këtë rast, përmbarimi vepron njësoj si për rastet e tjera, duke bërë ekzekutimin me forcë të kolateralit që rrjedhin nga këto kontrata huaje. Ai shpjegon se, në mbi 90% e kontratave të huave nga noterët përbëjnë titull ekzekutiv, por ka edhe disa kontrata huaje që nuk janë të shoqëruara me kolateral dhe nuk e kanë specifikuar mbështetjen ligjore. Këto lloj kontratash nuk përbëjnë titull ekzekutiv – thotë Isufaj.


Bankat apo noterët 

Që kur u shpikën bizneset e administrimit të parasë (bankat) janë më të mbikëqyrurat dhe më të mirërregulluarat nga kontrolli dhe transparenca. Për shkak se administrojnë kursimet publike, biznesi i bankave ka kritere të rrepta në licencim dhe është rregullisht i mbikëqyrur gjatë gjithë kohës. Kështu që dhënia dhe marrja e parave kundrejt një fitimi u është besuar vetëm bankave që janë të licencuara për këtë funksion. Konkretisht Banka e Shqipërisë është autoriteti i vetëm përgjegjës për licencimin e bankave dhe të degëve të bankave të huaja për të ushtruar veprimtari bankare dhe veprimtari të tjera financiare. E drejta për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë bankare dhe financiare lind vetëm pasi banka dhe dega e bankës së huaj pajisen me licencë nga Banka e Shqipërisë.


Ligji i atribuon Bankës së Shqipërisë të kërkojë informacion nga çdo person, nëse nga rrethanat e faktit konkludon se personi ushtron veprimtari bankare dhe financiare pa licencë, si dhe u kërkon institucioneve kompetente ndalimin e veprimtarive të mësipërme dhe marrjen e masave përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi. Në rastin e mësipërm, personi është i detyruar t’i japë Bankës së Shqipërisë të gjithë informacionin e kërkuar prej saj. Këto përcaktime në ligjin për bankat i japin të drejtë Bankës së Shqipërisë të hetojë dhe të procedojë për ndalim çdo subjekt dhe person që ushtron veprimtari bankare pa leje.


Por, nga ana tjetër, shkëmbimi i parave ndërmjet dy personave kundrejt një përfitimi dhe një pengu nuk është e ndaluar, madje Kodi i Procedurës Civile e zgjidh këtë pjesë në të gjitha hallkat e mbrojtjes ligjore. Për ekspertët e ekonomisë, rritja e huadhënies jashtë bankave është një rrezik serioz në radhë të parë për kursimet që investohen në këtë mënyrë. Rreziku i humbjes së tyre është i lartë dhe mbrojtja ligjore është e pamjaftueshme. Teoritë ekonomike vlerësojnë se rritja e parave jashtë bankave është një nga katër treguesit kryesore që masin madhësinë ekonomisë informale në një vend dhe zhvillimin e kriminalitetit.


35% e kompanive marrin financim në tregun zi
Sondazhet nga e gjithë bota tregojnë se përafërsisht 35% e firmave kanë vështirësi për financim në tregun ligjor të kredisë, të cilat përgjithësisht gjejnë financim në tregjet informate – thuhet në një studim të Departamentit të Kërkimeve Shkencore të Trentos për tregjet financiare informale në vendet në zhvillim. Numri i pjesëmarrësve në tregjet joligjore të kredisë u rrit pas krizës financiare të vitit 2008, kur bankat rishikuan politikat e kreditimit. Ulja e financimeve nga kreditë bankare rrit intensitetin e aktiviteteve informate, duke u bërë kështu shkak për një krizë financiare. Në këto raste, edhe kompanitë që nuk kanë asnjë problem të financohen nga tregjet ligjore bien në qasjen e financimeve në tregun e zi. Profesorët e Universitetit të Trentos, thonë se Shqipëria është një shembull i mirë në këtë pikë me nivelin e lartë të informalitetit në ekonominë e saj. Firmat në përgjithësi nuk kërkojnë shërbimet formale bankare, në mënyrë që të shmangin barrën rregullatore dhe tatimore.


Shqipëria është një nga vendet që ka kaluar një krizë financiare, për shkak të madhësisë së tregut informal financiar. Në vitin 1997, rënia e skemave informale të kursimit (skemat piramidale) çoi në një krizë të madhe ekonomike, e cila rezulton në një rënie 7% të PBB së vendit (në terma realë) dhe çoi inflacionin mbi 40%. Ekspertët thonë, se kjo krizë erdhi nga pamjaftueshmëria e sistemit formal financiar dhe kuadrit rregullator mbikëqyrës.
Tregu informal financiar u referohet transaksioneve financiare që ndodhin jashtë institucioneve zyrtare financiare. Këto transaksione nuk janë të rregulluara nga autoritetet qeveritare, por kjo nuk do të thotë se nuk janë të ligjshme. Ligji nuk i pengon anëtarët e familjes të japin dhe të marrin hua nga njëri-tjetri. Ligji mund të veprojë mbi fajdenë e organizuar. Në tregun e zi, në përgjithësi kreditë janë të vogla dhe afatshkurtra dhe pa kolateral, të pambikëqyrura dhe jashtë skemës të sigurimit të depozitave.


Huamarrësit në tregjet informale financiare kanë vështirësi për akses në shërbimet formale financiare. Në këtë kuptim, ekzistenca e tregjeve informale financiare i atribuohet racionimit të kredisë. FMN thotë se, në vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria, tregjet e kreditit mund të segmentohen në dy pjesë si pasojë e kufizimeve të kreditit: tregjet formale dhe joformale të kreditit. Këto tregje shërbehen nga grupe të ndryshme të huamarrësve dhe veprojnë në kushte të ndryshme ligjore dhe të tregut. Në fakt, disa firma, sidomos ato që janë mbështetur shumë në aktivitete informale, dhe nuk kanë bilance të rregullta, preferojnë kredinë informale, ndërsa huamarrja nga familja dhe miqtë mund të jetë zgjedhja e bizneseve të vogla./Monitor


Më të lexuarat