Secondary Adv

Ndryshon rregullorja e dhenies se lejeve per punime ne shtepi: Dyfishohet afati

Të gjithë ata që duan të bëjnë punime në shtëpitë e tyre, do të duhet të presin deri në 20 ditë për të marrë miratimin nga autoritetet përkatëse.

 

Më herët, ky afat ishte vetëm 10 ditë, por një ndërhyrje e fundit e bërë në rregulloren për zhvillimin e territorit sanksionon në nenin 24 një shtesë afati. “Autoriteti përgjegjës vendos, brenda 10 ditëve pune nga data e dorëzimit të aplikimit për leje ndërtimi me procedurë të përshpejtuar, për rastet: a) e punimeve që kanë vëllim të kufizuar ndërtimi ose impakt të ulët në territor, si: i. shkallë; ii. rrethime; iii. struktura me materiale të lehta e të çmontueshme; iv. ndryshime fasade etj. b) kur aplikuesi paguan tarifë aplikimi të barabartë me dhjetëfishin e tarifës së parashikuar për leje ndërtimi” thuhej në rregulloren e vjetër.

 

Në ndryshimin e ri thuhet se afati kalon në 20 ditë. Aty shtohet edhe një pikë e re, pas pikës një të këtij neni, që thekson se procedura e përshpejtuar jepet vetëm në rastet kur ka emergjenca.“Autoriteti përgjegjës, vendos me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. Përjashtimisht, vetëm për këto raste: a) aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit; 

 

b) dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është: i. raporti i hartuar nga komisioni apo struktura përkatëse e emergjencave civile, që vërteton shkaktimin e dëmit si pasojë e fatkeqësisë natyrore; ii. projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit” thuhet në rregulloren e re. Një tjetër element që ndryshon është dokumentacioni që duhet të paraqitet nga ndërtuesit lidhur me marrjen e certifikatës së përdorimit. Referuar disa ndryshimeve ligjore që kërkojnë sigurim 10-vjeçar të apartamenteve të reja rregullorja ka shtuar se mes një liste të gjatë dokumentesh ndërtuesit duhet të paraqesin edhe policën e sigurimit./Monitor


Më të lexuarat