Secondary Adv

Rritet renta minerare: 13 per qind do i transferohet bashkive ku operojne kompanite

Renta minerare që u transferohet Njësive të Qeverisjes Vendore ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë e industrisë nxjerrëse do rritet nga 5% që është aktualisht, në 13%.

 

Drafti me ndryshimet ligjore është gati nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa burime pranë këtij dikasteri thanë për TV SCAN se ai do t’i dërgohet për mendim Ministrisë së Financave. Të njëjtat burime shtuan se 12% e rentës që paguhet nga kompanitë që ushtrojnë aktivitet minerare dhe hidrokarbur do i transferohet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Masa aktuale prej 5% e rentës që mblidhet nga shteti, shpesh herë është konsideruar si tejet e ulët, në raport me dëmet që shkaktohen gjatë aktivitetit të nxjerrjes së mineraleve apo naftës, që kryesisht përkeqësojnë jetën e komuniteteve të zonave ku ato operojnë. 

 

Ndërkohë që rritja e saj ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë civile, pranë Grupit Ndërinstitucional i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse. Renta minerare është një taksë e cila mblidhet nga shteti dhe bizneset që shfrytëzojnë burimet natyrore, ndërkohë që përqindja që i kthehet njësive të qeverisjes vendore ku shfrytëzohen këto burime duhet të shkojë për investime konkrete ndaj komuniteteve./Scan


Më të lexuarat