Furnizimi me uje ne zonat rurale: Realizohen 55 per qind e punimeve per ujesjellesin e ri ne Klos
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kryer 55% të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Klosit i cili do të furnizojë banorët e zonave Skënderaj Kurdari, Suç dhe Kujtim.
Sipas të dhënave të publikuara nga FSHZH, aktualisht janë realizuar mbi 98 % linjë transmetimi, si dhe rreth 95 % linjë shpërndarëse, ndërsa kanë përfunduar proceset e betonimit për 3 depo dhe 13 puse shuarje. Puna po vazhdon aktualisht në rrjetin shpërndarës, për pusetat ajruese dhe shkarkuese, ku janë realizuar mbi 75 % e tyre, si dhe në ndërtimin e linjave nga puseta e shpërndarjes, te kufiri i pronës së çdo familjari.
Furnizimi me ujë i zonave rurale është një program i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare, Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, dhe Bashkimi Europian. Prej studimeve fillestare të fizibilitetit e deri te proceset e mirëmbajtjes në përfundim të punimeve, këto ndërhyrje do të sigurojnë krijimin e kushteve higjeno-sanitare të përshtatshme për ujin e pijshëm, si dhe furnizimin pa ndërprerje, duke përmirësuar kushtet bazë të jetesës. Me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e vendit, programi i ujësjellësave ruralë synon një zgjidhje afatgjatë, përmes skemave të ujësjellësave dhe përmirësimit të infrastrukturës të rrjeteve të furnizimit./ata