
Ndryshojne shpenzimet e buxhetit 2019: 1 mld leke shtese per Bypass-in e Fierit
Akti Normativ i buxhetit 2019 i propozuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ruajtjen e parametrave kryesor të buxhetit të miratuar në fillim të vitit.
Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, ndërkohë që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit pësojnë sistemime të vogla mes zërave, efekt ky neutral për buxhetin e shtetit. “Bazuar në performancën makro fiskale e buxhetore të 6-mujorit 2019, në gjykimin tonë, Akti Normativ që ju propozojmë do t’i japë zgjidhje disa problematikave të hasura gjatë implementimit të deritanishëm të buxhetit të shtetit, duke mundësuar arritjen e objektivave të rëndësishme si ruajtjen të pandryshuar të nivelit të planifikuar të parametrave kryesorë makroekonomikë, garantimin e financimit të nevojave të pushtetit vendor, garantimin e financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, për përballimin optimal të situatës emergjente, rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve publike nëpërmjet rialokimeve mes zërave të shpenzimeve, si dhe rritjen e sigurisë në realizimin e treguesve të buxhet”, deklaroi ministrja e Financave në Kuvend.
Po ashtu, përmes tij bëhen rishpërndarje brenda zërave të shpenzimeve të buxhetit, të cilat sigurojnë financimin për disa zëra sensitiv të shpenzimeve korente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK-ut, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj. Konkretisht, tek ministria e Brendshme kalojnë 450 milion lekë për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim e orë pune FNSH/kursantët, si edhe 30 milion lekë për pagat e Gjendjes Civile. Ministrisë së Mbrojtjes i shtohen 120 milion lekë për mirëmbajtjen e sistemit ‘Palantir’ dhe 330 milion lekë për misionet jashtë vendit. Ministrisë së Shëndetësisë i shtohen 300 milion lekë për skemën e PAK-ut, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019.
Ministria e Arsimit merr 300 milion lekë për arsimin bazë, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019. Në kuadër të financimit të skemës së fermerëve qeveria i shton një fond prej 200 milion lekësh ministrisë së Bujqësisë për kompensimin e çmimit të qumështit. Krahas ruajtjes së parametrave kryesore të buxhetit qeveria përmes këtij Akti Normativ parashikon të rrisë dhe performancën e shpenzimeve kapitale nëpërmjet shpërndarjes së burimeve dhe rishpërndarjes së fondeve drejt projekteve të investimeve publike, të cilat rezultojnë me progres të mirë deri tani, me qëllim arritjen e nivelit të programuar të tyre për vitin 2019.
Kjo, gjykuar edhe nga trendi ndër vite i realizimit të investimeve publike, ku punimet përqendrohen, kryesisht, në tremujorin e fundit. Konkretisht, ky Akt Normativ i garanton ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës një financim prej 1 miliardë lekësh financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në by-pass-in Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës. Po ashtu, një financim prej 370 milionë lekësh për shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i akordohen 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore të programeve të zhvillimit.
Ministria e Kulturës merr 200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB, për të mundësuar përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm brenda afateve të parashikuara. Ndërsa 200 milion lekë shkojnë drejt ministrisë së Bujqësisë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore, dhe sistemin e kanaleve ujitëse. Edhe ministria e Financave do të marrë 125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”. Për rikonstruksionin e godinës së Maternitetit të Vjetër ministrisë së Shëndetësisë I jepen 90 milionë lekë. Bashkia Tiranë po ashtu merr 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”./ata
Më të lexuarat









