Ndryshon ligji: Kontrolle te imta teknike per te gjitha objektet mbi 50 vjecare
Objektet më shumë se 50 vjeçare do u nënshtrohen kontrolleve teknike, me fokus te ndërtimet ku qytetarët kanë akses të lirë si kinematë, teatrot, stadiumet, apo marketet.
Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend propozimin për disa ndryshime në Ligjin për “Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, të nxitura në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit, kohës së pamjaftueshme për rregullimet ligjore sipas procesit legjislativ dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara. Bëhet fjalë për ndryshimin e katër neneve të cilat parashikojnë kryerjen e auditimit teknik të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar.
Gjithashtu, projektligji parashikon se oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jo, me vlerë të preventuar së paku 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik. Synimi i ndryshimeve është verifikimi në mënyrë periodike nga Instituti i Ndërtimit, nëpërmjet kryerjes së auditimeve teknike të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për plotësimin e kërkesave minimale të rezistencës, qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë në përdorim; si dhe propozimi i masave përkatëse në rast të mosplotësimit të kërkesave minimale të punimeve të ndërtimit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre./SCAN