
Koncesionet kapin vleren e 5 mld euro: Rriten pagesat per rrugen e Arbrit dhe Orikum-Dukat
Kontratat e dhëna me koncesion në vite kanë arritur në 643 miliardë lekë, sipas një tabele të Ministrisë së Financave, botuar në projektbuxhetin 2020.
Kjo shumë është sa rreth 36% e Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB). 64% e kësaj shume, ose rreth 411 miliardë lekë (rreth 3 miliardë euro) e përbëjnë koncesionet e dhëna në sektorin e energjisë, për ndërtimin e 185 hidrocentraleve, ku më i madh është HEC i Devoll me vlerë kontrate 130 miliardë lekë. Por, këto kontrata janë investime private të koncesionarëve për ndërtimin e hidrocentraleve dhe nuk marrin pagesa nga buxheti i shtetit, por nga shitja e energjisë.
Ndërsa rreth 2 miliardë euro janë kontrata koncesionare, të cilat do të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme, ku peshën kryesore e zënë ato të rrugëve, shëndetësisë, inceneratorërëve, skanimit në dogana dhe infrastrukturës shkollore në kryeqytet. Për këto kontrata përvoja po tregon se rrezikun e ka marrë tërësisht përsipër shteti, ndërsa koncesionarët janë të garantuar pasi ata po marrin pagesa edhe për shërbime të pakryera, gjë që është e parashikuara në kontratë (psh si në rastin e check up, ku koncesionari paguhet për një numër të caktuar kontrollesh kryhen apo jo ato apo të rrugës Durrës-Kukës, ku kompensohet mungesa e trafikut deri në një numër të caktuar).
Rrugët, 1.1 miliardë euro, si po fryhen pagesat
Projektet e rrugëve të firmosura tashmë arrijnë në 141 miliardë lekë (1.1 mld euro), ku rreth 70% të kësaj shume e zënë kontratat e reja të rrugëve në ndërtim, ose që priten të ndërtohen së shpejti, konkretisht Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. Për rrugën e Arbrit, shifra e dhënë në tabelë është 58.1 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro. Ndërkohë, në formularin e njoftimit të ofertuesit të përzgjedhur, në datë 31.10.2017, Gjoka Konstruksion kishte ofruar 33.6 miliardë lekë për “Dhënie me koncesion/PPP i ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugës së Arbrit”, që duke përfshirë dhe TVSH-në arrin në 40 miliardë lekë.
Po 40 miliardë lekë është dhe shuma e parashikuar si mbështetje buxhetore në një tabelë të mëparshme të Ministrisë së Financave për listën e koncesioneve/PPP me mbështetje buxhetore. Ndërsa në tabelën e re, vlera e paraqitur është 45% më e lartë. Një tjetër kontratë me vlerë të rritur është ajo e Orikum -Dukat, që në tabelat e projektbuxhetit 2020 parashikohet të arrijë në 9.5 miliardë lekë, ndërkohë që kontrata e fituar nga kompania ishte 50 milionë euro (60 mln euro me TVSH), ose rreth 7.6 miliardë lekë. Rritja është 23%. Për kontratën tjetër të Milot-Balldren, shuma e parashikuar është 29.3 miliardë lekë.
Shëndetësia, 185 milionë euro koncesione
Kontratat e shëndetësisë arrijnë në 23.5 miliardë lekë, për 4 projekte:
-Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale,12.3 miliardë lekë;
-Shërbimi i Hemodializës, 1.14 miliardë lekë;
-Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç, 8.76 miliardë lekë;
-Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës, 1,29 miliardë lekë.
E paqartë vlera e kontratave për inceneratorët
Tabelat e reja parashikojnë që vlera e kontratave për tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës të jetë rreth 25 miliardë lekë, ku 18.4 miliardë lekë i përkasin projektit për ndërtimin e landfillit inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Ndërsa në tabelat e mëparshme të financave, pagesat deri në vitin 2046 për inceneratorin e Tiranës do të arrijnë në 39 miliardë lekë. Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur problematika të shumta në kontratën e inceneratorit të Tiranës, duke filluar nga analiza nëse dhënia e projektit me koncesion paraqet vlerë më të mirë për para në krahasim me metodën e prokurimit publik, mosrespektimi i tavaneve buxhetore deri te mosllogaritja e risqeve të kursit të këmbimit dhe inflacionit./Monitor
Më të lexuarat








