
Linja energjetike Shqiperi - Kosove perfundon kete vit
Themelimi i tregut të përbashkët energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës, mblodhi ditën e djeshme në Kosovë delegacionin shqiptar të kryesuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, me kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Gjatë konferencës për media, ministri Gjiknuri deklaroi se është me shumë rëndësi që të ecet sa më shpejt në konkretizimin e projektit dhe se linja e interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë si një damar gjaku që furnizon pikërisht tregun energjitik.
Linja e interkonjeksionit Shqipëri - Kosovë
Ministrat Gjiknuri dhe Stavileci konfirmuan se punimet për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit, në të dyja krahët po ecin normalisht sipas parashikimeve të kontratës.
“Një e treta e projektit është përfunduar dhe shpresojmë që ashtu siç është edhe dinamika kohore e aktiviteteve të planifikuara për ndërtimin komplet, deri në fund të këtij viti, të përfundojë pjesa nga Kosova. Ndërkohë pritet që pranverën e vitit të ardhshëm të përfundojë edhe pjesa që i takon Shqipërisë”, tha Stavileci.
Ai shtoi se kjo linjë konsiderohet si një autostradë energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur rëndësinë që ka, por edhe përfitimet e shumta për dy vendet. Stavileci po ashtu bëri të ditur se, ata janë duke menduar të fillojnë ndërtimin e një linje të re 100 kilovatësh në linjën Dragash-Kukës.
“Ne kemi bashkëbiseduar për një linjë të re 100 kilovatësh Dragash-Kukës, por po ashtu kemi rënë dakord me ministrin Gjiknuri që në idetë dhe konceptet tona ndërzhvillimore të përfshijmë edhe disa të reja që kanë të bëjnë me ndërtimin e kapaciteteve që plotësojnë edhe më shumë funksionimin e një tregu energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha ai.
Integrimi energjetik
Ndërsa ministri Gjiknuri tha se, të dyja vendet kanë sfida për sa i përket sigurisë së energjisë, por me përfundimin e kësaj linje do të ketë një qëndrueshmëri në furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, ai tha se kjo linjë do të harmonizohet me politika dhe strategji të përbashkëta.
“Kemi konkretizimin e projektit të përbashkët, që është tamam integrimi energjetik i Shqipërisë dhe Kosovës. Përfundimi i kësaj linje krijon damarin e nevojshëm dhe shtyllën kurrizore ku ky sistem do të ngrihet, i cili do të harmonizohet me politika, strategji dhe investime të përbashkëta ashtu siç kemi rënë dakord”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, të dyja vendet kanë sfida përpara për sa i përket sigurisë energjetike dhe kanë mundësi që përmes sistemeve dhe burimeve të tyre, të sigurojnë një qëndrueshmëri në furnizimin e energjisë elektrike për të gjitha nevojat që do të vijnë.“Shqipëria dhe Kosova kanë nevoja të mëdha, prandaj është i nevojshëm koordinimi dhe harmonizimi i këtyre politikave”, tha Gjiknuri.
Projekti i linjës 400 KË pritet t’i kompletojë linjat ndërlidhëse të Kosovës me të gjitha vendet fqinje. Kjo linjë që po ndërtohet me Shqipërinë vlerësohet e një rëndësie të veçantë.
Më të lexuarat








