Secondary Adv

Rriten ndermarrjet e vogla ne ndertim, ulen te medhate


Ndërtimi ka shënuar një periudhë stanjacioni gjatë pesë viteve të fundit, që është reflektuar në një rënie të qarkullimit vjetor të këtij sektori, uljes së të punësuarve dhe reduktim të normave të fitimit.

 

Sipas Anketës Strukturore të INSTAT për vitin 2013, të ardhurat gjithsej të këtij sektori arritën në 181 miliardë lekë, duke u reduktuar me 1.6% në raport me vitin e mëparshëm.Që prej vitit 2009, kur sektori pa një hov për shkak të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, ndërtimi nuk ka arritur të njohë zgjerim vjetor, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ishte një nga motorët e rritjes ekonomike.


Në fund të vitit 2013, ushtronin gjithsej aktivitetin në fushën e ndërtimit 3497 ndërmarrje, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1% në raport me vitin e mëparshëm.
Por, pavarësisht shtimit të lehtë të numrit të ndërmarrjeve, të punësuarit në total në këtë sektor kanë rënë. Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e rritjes së ndërmarrjeve të vogla me 1-4 të punësuar (janë shtuar 49 ndërmarrje dhe rënies së atyre me 20-79 punonjës (janë mbyllur 46 ndërmarrje).
Pas një rënieje të ndjeshme të fitimeve në 2012-n, sektori e ka rimarrë veten në 2013-n, duke rezultuar me një fitim në vlerë absolute prej 18.4 miliardë lekësh, një rritje prej 10% me bazë vjetore. Kjo ka sjellë dhe një përmirësim të normës së fitimit, që u rrit në 10% në 2013-n, nga 9% vitin e mëparshëm.
Megjithatë, norma e fitimit është ulur ndjeshëm vitet e fundit, në krahasim me nivelet dyshifrore prej 16-18%, që u arritën në vitet 2010-2011.


Sipas planit buxhetor afatmesëm të qeverisë, ndërtimi, për vitin 2014 vlerësohet të ketë vijuar me një rënie, ndonëse më e moderuar se vitet e shkuara, ndërsa parashikohet të kthehet në norma pozitive të rritjes për vitet 2015, 2016 dhe 2017.
 Mesatarisht ndërtimi parashikohet të rritet në terma reale me 1.5% gjatë vitit 2014-2017, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e përgjithshme të aktivitetit ekonomik me një mesatare prej 0.1 pp në vit./Monitor


Më të lexuarat