Secondary Adv

Rritet kosto e koncesionit te sterilizimit: Per dy vite arrin ne 134 mln euro

Nga viti në vit fatura që duhet të shlyejë buxheti për koncesionet PPP po rritet pavarësisht vlerës fillestare të përcaktuar në kontratë.

 

Në projektbuxhetin e vitin 2020 në tabelën që sqaron financimet buxhetorë për koncesionet, ministria e Financave raportoi se vlera e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë nga 10 miliardë lekë që ishin raportuar në buxhetin e vitit 2018. Vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 për qind në harkun e dy viteve. Koncesioni i cili nisi në vitin 2015 dhe do të përfundojë në vitin 2025 do të financohet me më shumë se 1.6 miliardë lekë në vit, teksa kontrata e hartuar pa studim fisibiliteti shfaqi defekt qysh në vitët e para të saj. Kontrata parashikon pagese për çdo set të përdorur gjatë operacioneve. 

 

Që vitin e dytë koncesioni ka kryer operacione më shumë se parashikimet e qeverisë. Madje vitin e kaluar Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor që menaxhon pagesat për çdo faturë të koncesionit të sterilizimit pagoi realisht 2 miliardë lekë rreth 3 milionë euro më shumë se fondi i parashikuar. Në pamundësi për të rishikuar kontratën, Qeveria nëpërmjet FSDKSH-së i ka kërkuar spitaleve të reduktojnë numrin e operacioneve duke vënë kuota mujorë për secilin spital. Për spitalin e Durrësit është sugjeruar të ulet numri i operacioneve me rreth 20 për qind në krahasim me një vit më parë. 

 

Sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet kompanisë koncesionare Sani Servis dhe qeverisë shqiptare sterilizimi i për një operacion të ndërlikuar kushton 37.700 lekë, për ndërhyrje mesatare 22.300 lekë dhe për operacionet periferike kushtojnë 13.900 lekë. Të gjitha këto tarifa buxheti i paguan plus Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sipas FDSKSH gjatë vitit 2018 janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje, sipas kompleksitetëve, pa përfshirë paketimet me avull. Burimet nga QSUT pohuan se për këtë shkak është ndaluar kryerja e disa operacioneve të lehta dhe gjithashtu është kufizuar numri i ndërhyrjeve. 

 

Koncesioni i sterilizimit ka zënë 5.1% të shpenzimeve totale në shëndetësi. Në një raport të posaçëm për ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2018, Fondi ka arsyetuar se, programimi i investimeve ndryshoi në fund të vitit të kaluar, nisur nga pamundësia në realizimin e sistemeve informatike të parashikuara. Mosrealizimet u përdorën për të mundësuar në programe të tjera të shpenzimeve, që rezultonin me tejkalime. Vitin e kaluar faturat e sterilizimit e kanë kaluar planin e financimeve në buxhet me 461 milionë lekë ose 3.6 milionë euro, duke lajmëruar se deri në fund të periudhës vlera e kontratës të ketë kaluar të 20 miliardë lekët./Monitor


Më të lexuarat