Landfilli i Durresit jepet me koncesion firmes italiane Kinexia
Landfilli i Durrësit, që do të ngrihet në qytezën e Manzës, pak kilometra larg qytetit të Durrësit, i është dhënë firmës italiane Kinexia dhe firmes shqiptare Albania Landfill Energia (ALE shpk) nga ministria e Mjedisit.
Ministria e Mjedisit ka vendosur që t'ia japë një firme italiane landfillin e Manzës në qarkun e Durrësit. Mësohet se bëhet fjalë për përpunimin e 1.9 milionë tonë plehra, prodhimin e energjisë nga biogazi. Sipas informacioneve procedurat në landfill janë parashikuar të fillojnë në gjysmën e dytë të 2015. Bëhet fjalë për një landfill qe do të mundësojë përpunimin e 1.9 milionë tonë plehrave në total dhe prodhimin e biogazit, ku në tridhjetë vite parashikohen të ardhura prej 60 milionë eurosh. Nga Qarku i Durrësit do të përpunohen 100 mijë tonelata në vit.
Tenderi për këtë landfill mësohet se është hapur në 18 nëntor të 2014 nga Ministria e Mjedisit dhe tani në pjesën e parë të 2015 është fituar nga kompania italiane në bashkëpunim atë shqiptare, kjo e fundit ortake vetëm në 10 përqind. Rezultati i tenderit dhe fituesi është firmosur nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka, pas përfundimit të arritur nga një komision prej 7 anëtarësh. Koncensioni, që duhet të perfeksionohet në 30 ditët e ardhshme, parashikon një periudhë menaxhimi prej 30 vitesh, me një investim prej 20 milionë euro. Por çfarë parashikohet të bëhet në landfillin e Manzës? Këtu do të përpunohen 1.9 milionë tonelata mbeturina me një çmim grumbullimi 3747.68 Lek për ton, (baraz me 26,5 €) duke nisur nga viti I parë, dhe prej tyre do të prodhohet biogas. Cmimi e 26.5 euro për ton do paguhet nga bashkitë e ndryshme që do dorëzojnë atje mbeturinat. Kush është kompania italiane? Kinexia S.p.a. është një shoqëri e kuotuar në bursë dhe merret me energjitë e rinovueshme dhe ambjentin. Ka për president dhe Administrator Pietro Colucci.
Ndërsa firma shqiptare "ALBANIA LANDFIL ENERGIA A.L.E" është krijuar në fund të shkurtit të 2012 dhe në 4 maj 2012 kishte marrë një leje nga ministria e Ambjentit në kohën e Berishës. "ALBANIA LANDFIL ENERGIA A.L.E" ka si administrator italianin Mario La Porta dhe pronarë Arjan Xhihanin 50 përqind dhe Giorgio Loreton po 50 përqind.
PDF- Dokumenti i QKR Sipas të dhënave fillimi i procedurave ligjiore në landfill është parashikuar në gjysmën e dytë të 2015, ndërsa punimet në vitin 2016. Landfilli i Manzës ka qenë disa herë në qendër të polemikave se kush duhet të përpunojë plehrat aty dhe në cilat kushte. Për tenderin e fituar nga firma italiane, ende nuk ka të dhëna zyrtare./Shqiptarja.com