Ne 2020 behet rivleresimi i banesave- Denaj: Procesi perfshin rreth 40 mije pasuri
Qeveria po shikon mundësinë e rivlerësimit të pasurive, duke lehtësuar qytetarët nga pagesa e tatimit mbi fitimin 15%, në momentin që shesin një pronë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot në komisionin e Ekonomisë dhe Financave se po shikohet mundësia e hartimit të një tjetër nisme për rivlerësimin e banesave dhe sipas përllogaritjeve paraprake në këtë proces mund të përfshihen rreth 30-40 mijë pasuri. “Kjo është një nismë që dy herë ka ezauruar një numër të konsiderueshëm pasurish. Respektivisht kur është aplikuar një normë tatimi me 1% janë rivlerësuar 90 mijë banesa, ndërsa herën kur u aplikua normë tatimi 2% u përfshinë 60 mijë banesa”, tha Denaj.
Ministrja tha se ende nuk është shpallur masa e tatimit që do të aplikohet, por që sipas llogaritjeve do të përfshihen rreth 30-40 mijë pasuri dhe se efekti në buxhet do të jetë 4 miliardë lekë. Kjo është hera e tretë që prej vitit 2009 që qeveria harton nisma për lehtësimin e qytetarëve për të kryer rivlerësimin e pasurive. Shumica e banesave në Shqipëri kanë diferencë të madhe mes vlerës së tregut sot dhe shumës që pronarët e kanë blerë shtëpinë përpara shumë vitesh./ata