Beteja ligjore per Kopshtin Botanik: Gjykata rrezon Universitetin e Tiranes dhe FSHN
Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e Rektorit të UT dhe Dekanit të FSHN, lidhur me transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik te Bashkia e Tiranës.
Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me kundërshtinë që ata i bënë vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës. Gjykata i ka dhënë kështu të drejtë pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Gjykata Administrative e Apelit argumentoi sot se padia e Rektorit dhe e Dekanit është ngritur në kundërshtim me ligjin.
Sipas saj, organi që mund të shqyrtojë këtë akt të Këshillit të Ministrave është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe për këtë qëllim padia e paraqitur nga universiteti duhet të rrëzohet dhe të mos merret në shqyrtim. Në këtë mënyrë, i hapet rruga realizimit të projektit për hapjen e Kopshtit Botanik ndaj publikut si dhe përmirësimin e kushteve të asaj hapësire, e cila do t’i shërbejë edhe studentëve për studime të ndryshme, por edhe qytetarëve për ta vizituar nga afër. Në vendimin e datës 17 korrik, qeveria njoftoi se Kopshti Botanik bëhet pjesë e pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Kryeqytetit.
Kopshti Botanik i Tiranës u ndërtua në vitin 1964 dhe zë një sipërfaqe prej 15 hektarësh bimësi dhe gjelbërim pranë liqenit. I përfunduar në vitin 1971, kopshti ka një koleksion fito-gjeografik me vlerë kulturore dhe shkencore. Kopshti ishte pjesë e Universitetit të Tiranës dhe I shërben shkollave në mbarë vendin. Kopshti përdoret për qëllime edukimi, si atraksion turistik dhe konsiderohet si një parajsë e vogël e gjelbër dhe vendi më i preferuar i gjelbër në Tiranë. Pothuaj 2,000 specie dhe gene ekzotike rriten ketu./Shqiptarja.com