Secondary Adv

Qeveria merr vendimin: Pasurite e konfiskuara do jene ne dispozicion per perfitime sociale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë mori pjesë në konferencën mbi administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.

 

Të pranishëm në këtë konferencë ishin dhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, Ambasadori i Italisë në Tiranës, z. Alberto Cutillo, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, si dhe Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizëm në Republikën e Italisë, z. Federico Cafiero De Raho. Në fjalën e saj, Ministrja Denaj tha se, përmes masave ligjore të ndërmarra, Shqipëria është pozicionuar sot në hartën e vendeve të angazhuara fort në luftën kundër Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe në Luftën kundër Financimit të Terrorizmit. 

 

Një ndër këto masa është miratimi në parlament i ligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” i cili, ndër të tjera, mundësoi krijimin e mekanizmave ligjorë për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e ngrira dhe të konfiskuara, si dhe lejoi ushtrimin e kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme të cilat amortizohen prishen apo në rënie të vlerës. Sipas Ministres Denaj, konfiskimi dhe vendosja në dispozicion për përfitime sociale e pasurive nga burime jo të ligjshme mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për sistemin në tërësi, pasi sot vetëm rreth 40% e pasurive të sekuestruara konfiskohen. 

 

“Vetë proceset e gjata vendimmarrëse cënojnë dhe vështirësojnë shpeshherë përdorimin, shitjen dhe maksimizimin e këtyre pasurive. Mjaft e rëndësishme është ecuria e mëtejshme e Reformës në drejtësi dhe angazhimi ynë për miratimin e legjislacionit dytësor për përmirësimin e shitjes dhe përdorimit të këtyre pasurive”, tha znj. Denaj. Ministrja Denaj ftoi të gjithë aktorët të angazhohen për një bashkëpunim institucional më të gjerë për të bërë të mundur avancimin e kuadrit ligjvënës dhe atij zbatues për Sekuestrimin, Konfiskimin dhe Administrimin e Pasurive të fituara përmes krimit dhe në tërësi për Zbatimin e Plotë të Reformës në Drejtësi./Balkanweb


Më të lexuarat