Secondary Adv

Energjia e varur nga reshjet: Prodhimi u ul ndjeshem, importet u rriten me 64 per qind

Furnizimet me energji u bazuan më shumë tek importet në tremujorin e tretë të vitit për shkak të varësisë së prodhimit 100 për qind nga reshjet.

 

INSTAT njoftoi sot se importet e energjisë në tremujorin e tretë pësuan rritje vjetore me 64%, nsërsa prodhimi vendas shënoi rënie me 27 % për të njëjtën periudhe. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 2,2 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë ka rënë me rreth 1,4 herë, duke arritur vlerën 1.186 Gwh nga 1.630 Gwh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2018. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 79,4 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 20,0 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,6 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

 

Ulja e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 1,6 herë dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 2,7 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Hidrocentralet publike, në tremujorin e tretë të vitit 2019, prodhuan 941 GWh nga 1.304 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2018, duke shënuan kështu një rënie të prodhimit me 27,8 %. Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 237 GWh nga 326 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 27,3 %.

 

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) rezultoi me rritje duke arritur vlerën 772 GWh nga 470 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) rezultoi me rënie duke arritur vlerën 105 GWh nga 287 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 342 GWh nga 356 GWh duke shënuar kështu rënie me 3,9 %. Humbjet në transmetim kanë rënë me 9,5 % dhe pesha që zënë në totalin e humbjeve në rrjet është 11,9 %.

 

Humbjet në shpërndarje zënë një peshë më të madhe, rreth 88,1 % të humbjeve në rrjet, ku humbjet teknike në shpërndarje janë ulur me rreth 18,3 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e tretë të vitit 2019, u rrit me 3,7 % duke arritur vlerën 1.510 GWh nga 1.456 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2018. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuan me +2,0 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +1,7 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë./Monitor


Më të lexuarat