Shpallet tenderi: 20.7 milione leke per rikualifikimin urban te Ballshit
Bashkia Mallakastër ka vënë në dispozicion një fond 20.7 milionë lekë, i cili shkon për hartim projektesh, që prekin kryesisht rikonstruksion rrugësh.
Nga ky tender, i ndarë në 11 lote, një pjesë e konsiderueshme do të vihen të funksion të qytetit të Ballshit. Afro 4.2 milionë lekë, sipas tenderit të shpallur në APP, do të shkojnë për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit. Ky lot përfshin rehabilitimin e një hapësire 17.000 m2, në bulevardin kryesor të qytetit. “Kërkesat e projektit: të bëhet rikonstruksioni dhe rikonfigurimi i trupit të rrugës dhe përcaktimi i shtresave rrugore, gjerësia e rrugës sipas studimit, ku shtresa e fundit do të jetë asfaltobeton, të parashikohet në projekt korsi për kalimin e biçikletave, të bëhet ndërtimi i pesetave të reja të ujërave te shiut, të cilat duhet të jenë me sifon, si dhe riparimi ose ndërtimi i pusetave ekzistuese të KUZ.
Të bëhet ndërtimi i trotuareve të rinj, heqja e shtresës ekzistuese të pllakave dhe llaçit nën to dhe depozitimi i tyre të bëhet 5 km larg nga objekti, si dhe ndërtimi i shtresave të reja të trotuareve, të bëhet vendosja e bordurave te reja te rrugës, rikonstruksioni i sipërfaqeve të gjelbëruara të përfshijë zonën nga bordura e rrugës deri në themelin e godinave ne krah te rrugës, pas axhornimit të sakte të tyre, të parashikohet përmirësimi i sipërfaqeve të gjelbëruara si dhe mbjellja e pemëve dekorative në distancën e lejuar dhe vendosja e bordurave të gropave të pemëve” shkruhet në detajet e tenderit. Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një hapësire rekreative në zonën e liqenit artificial të Ballshit, me një fond në dispozicion prej 1.6 milionë lekësh.
Nga ky lot i tenderit, pritet pastrimi dhe rehabilitimi i liqenit, ndërtimi i një shëtitoreje 8m, si dhe korsie biçikletash, 2m, ndërtimin e sheshi në funksion të argëtimit dhe lojërave, gjelbërim të zonës, shtylla ndriçimi, apo ambiente çlodhëse. Të dy këto investime në ‘zemër’ të Ballshit, pritet të kryhen brenda një afati 1 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues. Sipas specifikimeve teknike, të dy këto investime do të shkojnë për ‘të transformuar’ qendrën e qytetit. Nga ky tender pritet edhe rikonstruksioni i rrugëve të tjera që lidhin fshatrat me Ballshin, apo me Tepelenën./Scan