Nga 1 Dhjetori nis vleresimi i ri i KEMP-it ne Tirane: Sipas shkalles se rendeses
Nga 1 Dhjetori nis vlerësimi i ri i aftësisë së kufizuar në Tiranë, që parashikon vlerësimin e gjendjes së personit me aftësi të kufizuar, sipas shkallës së rëndesës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka inspektuar pikën e hapur në Dispancerinë e Tiranës, një nga 6 pikat ku janë ngritur komisionet multidisiplinore të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar duke theksuar se do të ketë transparencë maksimale në përcaktimin e aftësisë për punë, apo siç njihet nga të gjithë si KEMPI, në mënyrë që pagesat e aftësisë së kufizuar të shkojnë për qytetarët që kanë vërtet nevojë.
“Nga data 1 Dhjetor nis një vlerësim i ri i aftësisë së kufizuar në të gjithë qarkun Tiranë, i cili parashikon vlerësimin e gjendjes së personit me aftësi të kufizuar, sipas shkallës së rëndesës, në mënyrë që ai person që është në gjendje më të rëndë të përfitojë më shumë nga pagesa që jep shteti për aftësinë e kufizuar. Në këtë vlerësim të ri, për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar transparencë do të vendoset një sistem survejimi me kamera në intervistat e qytetarëve, të cilat do të jenë subjekt montorimi dhe vlerësimi në çdo kohë”, u shpreh Manastirliu gjatë vizitës në pikën e hapur tek Dispanceria./Shqiptarja.com