Hapet gara per 6 zona te reja germimesh minerare: Synohet zgjerimi i tregut
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur garën konkurruese për leje në 6 zona të ndryshme minerare, duke synuar zgjerimin e këtij tregu.
Dokumentet e kompanive të interesuara mund të dorëzohen deri në datën 18 dhjetor të këtij viti, ndërkohë që gara është e hapur për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj. Hapja e këtyre procedurave vjen pas hyrjes në fuqi të programit të veprimit 3-vjeçar 2019-2021 në sektorin minerar, i cili parashikon një rritje të produktit vjetor deri në 5% në vit. Përveç rritjes së prodhimit, programi që orienton zhvillimin e sektorit për këtë periudhë kërkon shfrytëzim racional të rezervave minerare dhe miradministrim të kësaj pasurie kombëtare.
Në bazë të programit parashikohet hapja e procedurave konkurruese për shfrytëzimin e 76 zonave minerare. Ndërsa paralelisht parashikohet dhe zhvillimin e aktivitetit të kërkim-zbulimit në 132 zona minerare, kryesisht për mineralin e kromit, por edhe të bakrit apo arit. Ndërkaq, vendimi i qeverisë kërkon zhvillimin e veprimtarive minerare, duke përdorur teknologji bashkëkohore, që të parandalojnë dëmtimet mjedisore, shkarkimet në mjedis etj, mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe mjedisit si dhe zhvillimin e këtij aktiviteti me ndikim minimal në panoramën dhe relievin./Scan