Fondi aktual per emergjencat vetem 1.7 mld leke: Qeveria mund te ndryshoje buxhetin 2020
Do të duhet shumë kohë të përcaktohet bilanci i saktë i dëmeve, por ai vlerësohet të jetë shumë i lartë, çka mund të detyrojë qeverinë të ndryshojë buxhetin e 2020.
Në buxhetin aktual fondi rezervë është vetëm 1.7 miliardë lekë, tërësisht i pamjaftueshëm për të përballuar tragjedinë që ndodhi. Debate do të ketë sërish edhe lidhur me skemën e sigurimeve nga fatkeqësitë kombëtare, që po diskutohet prej kohësh. Duke qenë një vend i varfër, Shqipëria ka kapacitete të kufizuara financiare dhe logjistike për të përballuar fatkeqësitë natyrore, të tilla si tërmetet e fundit. Buxhetet për të përballuar emergjencat janë të shpërndara në disa institucione dhe nuk ka një fond kombëtar dedikuar për të tilla situata, në mënyrë që të përdoret menjëherë.
Gjithashtu kamionët dhe mjetet e transportit numërohen me gishtat e dorës. Është e natyrshme që një fatkeqësi e përmasave të tilla si tërmeti i 26 nëntorit kërkon angazhim më të madh, por vendi ynë edhe më parë ka shfaqur dobësi dhe mungesë përgatitje për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Në Shqipëri, kapacitetet reaguese ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, midis të cilave, siç është përmendur tashmë, pjesa kryesore është kontribut i Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FASH).
Si rakordohen burimet financiare për të përballuar fatkeqësitë natyrore
Burimet financiare Bazuar në Ligjin aktual “Për emergjencat civile”, buxheti i shtetit është “burimi kryesor financiar për planifikimin dhe menaxhimin e emergjencave civile, ndërsa MB dhe ministritë e tjera detyrohen të kenë një buxhet vjetor për emergjencat.
Janë katër lloj buxhetesh për emergjencat:
-buxheti për emergjencat i Ministrise se Brendshme,
-buxheti për emergjencat i pushtetit lokal,
-buxheti i rialokuar (për emergjencat) i ministrive të linjës
– dhe “Fondi rezervë” i Qeverisë.
Pjesa dërmuese e fondit në këto lloj buxhetesh është e alokuar për parapërgatitje dhe masat rikaveruese post-emergjencë. Në buxhetet e ministrive të linjës të dedikuara për zhvillim e trajnim, ka gjithashtu fonde që (të paktën në letra) shkojnë për rreziqet financiare (RRF). Sidoqoftë, në terma të përgjithshme, burimet financiare në Shqipëri, të dedikuara për RRF janë shumë të kufizuara, sidomos në nivel pushteti lokal.
Nga ana tjetër, në legjislacionin aktual, nuk ka përcaktim të qartë për madhësinë/përqindjen e buxhetit të shtetit (ministrive) që shkon për RRF&MC. Në ligjin e ri për Emergjencat Civile, kjo pjesë është përmirësuar ndjeshëm, duke bërë përcaktimin e qartë që ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore duhet të kenë një buxhet të ndarë për Mbrojtjen Civile në nivel 0.3 deri 1 për qind të buxhetit të tyre. Ligji përcakton gjithashtu, jo vetëm nevojën që pushteti lokal të mbështetet me fonde nga ai qendror në rast fatkeqësish, por edhe detyrimin e pushtetit lokal për të përdorur për këtë qëllim të ardhurat e veta./Monitor